Lajme
Ish-drejtori i Arsimit në Prishtinë: Greva në kopshte edhe në ciklin e ulët të arsimit duhet të ndalohet me ligj
Demokracia
21:11 | 05 Tetor 2022

Share:

Të hënën e 3 tetorit nxënësit u ulën sërish në bankat shkollore pas një ndërprerje prej pesë javësh për shkak të grevës.

E ata që sivjet nisën rrugën e dijes nuk e patën mundësinë ta nisin mësimin ashtu siç ndodh zakonisht më 1 shtator.

Kjo sipas ekspertit të arsimit Jonuz Salihaj, është një humbje e madhe, sidomos për nxënësit ciklin e ulët fillor dhe për fëmijët e vegjël.

Ai tha se grevat duhet të ndalen me ligj për ciklin e ulët mësimor.

Salihaj tha për Klankosova.tv se ndërprerja e mësimit ka shkaktuar kokëçarje edhe për prindërit.

Sipas tij, prindërit kanë qenë të rrezikuar të humbin punën e tyre duke mos pasur që fëmijët t’i dërgojnë në kopshte e shkolla.

“Për mendimin tim grevat për ciklin e ulët (për fëmijët 0-3 dhe 3-6 vjeç) do t’i kisha ndaluar me ligj”, tha Salihaj

“Ndërprerja e mësimit është forma më radikale. Unë për vete nuk i pëlqejë format radikale. Kjo ka shkaktuar kokëçarje edhe tek prindërit të cilët nuk kanë pasur mundësi të i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla edhe në kopshte”, theksoi ai.

“Ndërprerja e procesit mësimor ka rrezikuar edhe ekonominë e vendit, pasi prindërit që nuk kanë pasur mundësi t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kopshte edhe shkolla, kanë rrezikuar të humbin edhe vendet e tyre të punës. Kjo për shkak se ka shkaktuar shumë pasiguri tek prindërit se ku t’i lënë fëmijët e kjo pastaj ka ulur edhe efikasitetin e tyre në punë. Ata ndoshta shpesh është dashur që t’i marrin me vete në punë fëmijët ose të i dërgojnë për përkujdesje tek të afërmit”, shtoi ai.

Të ngjashme