Ish-diplomati kosovar, Blerim Canaj, ka folur për Demokracia.com në lidhje me ngjarjet e fundit që ndodhën në veriun e vendit.
Canaj u shpreh se nuk ka më dyshime se Serbia fshihet prapa grupit të armatosur terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës të dielën. Por, ai pyet si është e mundur të hyjë një arsenal i tillë i armëve, pa u vërejtur asnjëherë?
Canaj shtoi se Kosova duhet të jetë më bashkëpunuese me ShBA-në në dialog, pasi që Borrell dhe Lajçak kanë dështuar si ndërmjetësues.
“Që Serbia ka gisht në tërë ngjarjen, tanimë nuk do koment. Në anën tjetër, ekspertë të ndryshëm, kryesisht të sigurisë, kanë tendencën që të zgjerojnë rrethin e dyshimeve. Por, edhe duke dashur t’iu ikim konspiracioneve, prapë shtrohet pyetja si është e mundur që të futet një arsenal i tillë armësh pa u vërejtur asnjëherë? Dhe pyetja tjetër që duhet të shtrohet në këtë rast është: cili ishte roli i manastirit në krejt këtë? Kjo pyetje duhet të shtrohet edhe për faktin që në tavolinën e bisedimeve kërkohet për njëfarë ekstraterritorialiteti të kishës ortodokse serbe dhe fshehja e armëve në manastir tregon për rrezikun që i kanoset Kosovës pastaj”, tha ai.
“Mendoj që këto janë disa nga pikat që e rrezikojnë ecurinë e dialogut. E sa i përket asaj se çfarë duhet të ndodhë me dialogun, mendoj që ne duhet të jemi më bashkëpunues, sidomos me SHBA. Kjo për shkak se edhe Borrell, edhe Lajçak, tanimë janë të dështuar si ndërmjetësues dhe nuk janë të denjë ta bëjnë këtë, madje dështimi i tyre ka humbur edhe kredon e BE”, tha ish-diplomati kosovar.
Canaj lavdëroi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për përkrahjen që po ia jep Kosovës.
“Edi Rama gjithmonë ka qenë në përkrahje të Kosovës. Prandaj edhe përkrahja e tij nuk më befason. Madje, ai më parë është deklaruar qartazi që në rast eskalimi Shqipëria do jetë pranë Kosovës. Përkrahjen e tij e bënë edhe më të rëndësishëm fakti që Rama është kryeministër i një shteti anëtar i NATO-s. Andaj, Rama si zakonisht në kohën e duhur gjithmonë është gjendur ku duhet”, tha ai për Demokracia.com.
Ish-diplomati kosovar tha se BE-së po i mungon uniteti dhe se Kosovës i duhet koordinim me ShBA-në si aleat kyç.
“BE-së si gjthmonë i mungon uniteti. Andaj, kam përshtypjen që edhe kur BE del me një qëndrim, ai qëndrim reflekton vetëm qëndrimin e një institucioni, por asnjëherë qëndrimin e përbashkët të shteteve të BE. Kjo është arsyeja pse Kosovës i duhet koordinimi me SHBA si aleat kyç dhe i ndonjë shteti anëtar të BE, por assesi nuk ka ndonjë siguri nëse shpresa e fundit mbetet BE”, përfundoi Canaj./Demokracia.com/
Gazetari: Çlirim Qeriqi