Lajme
Ish-deputeti i LDK-së ka një mesazh të rëndësishëm për bashkëpartiakët e tij
Demokracia
07:43 | 01 Prill 2021

Share:

Ish-deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, u jep një mesazh deputetëve të partisë së tij se pavarësisht bindjeve dhe arsyeve të tyre, duhet ta marrin parasysh vendimin e Kryesisë për pjesëmarrjen në procesin e votimit për të zgjedhur Presidentin.

Ai përmes një shkrimi në faqen e tij në ‘Facebook’ thotë se mos zgjedhja e Presidentit të Republikës në këtë fazë kur vendi ka ushtrues detyre të Presidentit, e fut vendin në krizë kushtetuese dhe institucionale, përcjell Demokracia.com

Ky është postimi i tij i plotë:

Në parim, deputeti nuk i nënshtrohet asnjë detyrimi sepse kështu e përcakton norma e Kushtetutës.

Por, në kuadër të rregullave të përfaqësimit politik dhe partiak, deputeti duhet të marr parasysh qëndrimet dhe vendimet e organeve partiake.

Në legjislaturën e kaluar, Ne i kemi marr parasysh vendimet e partisë për disa çështje të ndieshme, edhepse me disa prej tyre nuk jemi pajtuar, madje disa prej nesh kemi pas arsye të mëdha që të mos pajtoheshim kurrë. Por, e kemi tejkaluar vetvetën.

Prandaj, në këtë frymë, mendoj se kolegët tonë, pavarësisht bindjeve dhe arsyeve të tyre, duhet ta marrin parasysh vendimin e Kryesisë së LDK-së për pjesëmarrjen në procesin e votimit për të zgjedhur Presidenten/in sepse kështu do të tregojnë respekt, maturi politike dhe disiplinë partiake, por edhe përgjegjësi do të thoja për të ushtruar detyrën e përfaqësimit të popullit në Kuvend të Republikës.

Mos zgjedhja e Presidentit të Republikës në këtë fazë kur vendi ka ushtrues detyre të Presidentit, e fut vendin në krizë kushtetuese dhe institucionale. Kjo gjendje nuk i duhet shtetit të Kosovës dhe këtu përgjegjësia i takon secilit subjekt politik parlamentar, respektivisht secilit deputet të Kuvendit.

Të ngjashme