Lajme
Ish-bashkëpunëtori i Oliver Ivanoviqit thotë se u kërcënua me vdekje, Joviq: Largohem nga politika
Demokracia
16:49 | 17 Qershor 2023

Share:

Komisioneri i Lëvizjes për Mbrojtjen e Kosovës, Nebojsha Joviq, ka njoftuar se për shkak të kërcënimeve më të fundit që ka marrë “nga një vend mëse serioz”, është i detyruar të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet politike lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Joviq, i cili jeton në Mitrovicën e Veriut, theksoi se në muajt e fundit ka marrë disa paralajmërime “të ketë kujdes, se mund të eliminohet, arrestohet ose vritet”.

“Paralajmëroj opinionin publik se në mënyrë më se serioze, nga një burim më se serioz, kam marrë një paralajmërim se nëse vazhdoj çfarëdo aktiviteti politik, siguria ime dhe e të afërmve të mi direkt do të rrezikohen”, theksoi Joviq, pa specifikuar nga kush ka marrë kërcënime.

Ai shtoi se deri më tani, asnjë kërcënim, “apo humbja e vendit të punës, arrestimi, suspendimi, pasojë e të cilave mund të jenë lëndime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën”, nuk mund ta trembin atë.

Kujtojmë se Joviq ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq dhe është një nga më meritorët për faktin se serbët nuk u dëbuan nga veriu i Kosovës në vitin 1999.

Joviq ishte një nga liderët e protestave serbe më 13 qershor, kur M.M u arrestua, duke brohoritur “Tradhti, tradhti” dhe duke fyer presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai atë ditë iu drejtua qytetarëve të mbledhur dhe më pas bëri thirrje për protestë të hënën para selisë së Listës Serbe. Kësaj tërheqjeje nga politika i kanë paraprirë edhe raportime të pakonfirmuara për një sulm fizik ndaj tij.

Në një intervistë për agjencinë Beta më 14 qershor, Joviq deklaroi se Lista Serbe e ka humbur besueshmërinë e saj dhe se nuk mund të përfaqësojë më popullin serb në Kosovë.

“Që nga viti 2013 kemi pësuar kërcënime dhe shantazhe nga Beogradi. Pas gjithë barrikadave të organizuara nga lista e Beogradit dhe Srpska dhe pas çdo mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, gjendja sa vjen e përkeqësohej për serbët në Kosovë. Të gjitha veprimet e bëra nga Lista Serbe për t’i bërë gjoja rezistencë Prishtinës, rezultuan të kota sepse të gjitha direktivat vinin nga Aleksandar Vuçiq”, tha Joviq.

Ai ka theksuar se pas barrikadave të para, në veriun e Kosovës erdhën njësitet e policisë speciale të Kosovës, pas të dytës u ndërtuan bazat speciale të policisë dhe pas barrikadave të treta, veriu u morr plotësisht.

Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës ka shprehur indinjatën për kërcënimet e dërguara ndaj Komisionerit për Kosovë, Nebojsha Joviq. /Telegrafi/

Të ngjashme