Lajme
Ish-avokati i Haradinajt në Hagë: Seancat e mbyllura ngjallin mosbesim
Demokracia
17:44 | 12 Prill 2023

Share:

Për të dytën ditë me radhë, e gjithë seancat në Gjykatën Speciale të Hagës ku po akuzohen krerët e UÇK-së, ka qenë e mbyllur për publikun kosovar. Dëshmitarja e dytë ka vazhduar dëshminë, teksa atë e kanë marrë në pyetje avokatët e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

Fakti që të gjitha seancat këto dy ditë kanë qenë të mbyllura, ka nxitur shumë reagime në Kosovë. Ka reaguar edhe Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve, por edhe avokatë të tjerë.

Kjo po shihet me kritika edhe nga avokatët ndërkombëtarë. Michael O’Reilly ka qenë në mesin e ekipit mbrojtës të Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës.

Në një përgjigje të shkurtër për gazetën Nacionale, O’Reilly ka vlerësuar se mbyllja e seancave në gjykatë, mund të ndikojë në mosbesimin e procesit. Megjithatë, ai ka thënë se nuk është shumë i shqetësuar.

“Ajo që kam kuptuar unë është se fjalimet hapëse ishin të qarta dhe kompetente nga të dyja palët. Është shumë për të ardhur keq që fillimi i gjykimit është në seancë me dyer të mbyllura – por kjo është zgjedhja e prokurorit, duke thirrur së pari dëshmitarët e mbrojtur. Jam dakord që nuk ngjall besim. Personalisht, nuk jam i shqetësuar – thjesht ndodh që ne kemi shumë ‘sesione të mbyllura’ në fillim”, deklaroi avokati O’Reilly.

Një reagim të ngjashëm ditë më parë e ka pasur edhe avokati kosovar, Naim Rudari.

“Ndonëse edhe prokuroria e dhomave të specializuara në fjalën hyrëse e tha që dëshmitarët janë të frikësuar dhe nëse ata frikësohen dhe nuk dëshmojnë, këtë ta ketë parasysh trupi gjykues përkundër faktit që dëshmitarët janë siguruar e betonizuar me katër-pesë fish masa mbrojtëse”

“Pra, prokuroria e di që në fillim se nuk ka prova për atë që ka akuzuar, por lë të kuptohet se do të thirret në rrethana tjera sikurse u pa që të akuzuarit u mundua t’i nëncmojë e përqeshë qysh në fjalën hyrëse pa përmendur prova konkrete”, ka shkruar Rudari.

Zyra e Prokurorit të Specializuar gjatë gjithë kohës ka përmendur faktin që në Kosovë ka klimë të frikësimit të dëshmitarëve. Mbështetur në këtë fakt, ata kanë vendosur që një pjesë e mirë e dëshmitarëve të flasin me masa strikte mbrojtëse.

Megjithatë, në mesin e 12 dëshmitarëve të parë do të ketë edhe ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët pritet të flasin publikisht për strukturën dhe organizimin e UÇK-së.

Reagimet e tjera

Pasi seancat e para po zhvillohen të mbyllura, ka reaguar Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës.

“Pak po ju duket që i fshehët fytyra dhe zëri dëshmitares, veç edhe kalojnë në seancë edhe më private”, ka shkruar Klinaku.

Ashpër ka reaguar zyrtari i Nismës dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Zafir Berisha.

“Gjykata e Hagës me dëshmitar të fshehur, që nuk kanë fytyrë, si dhe Panturoviqi i Dukagjinit me dëshmitar skizofrena dhe dhunues të fëmijëve, në ofensivë për të njollosur UÇK-së. Me vetëdije apo pa të, po i shërbejnë përpjekjeve serbe për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së dhe për ta barazuar atë me luftën gjenocidale të Serbisë. UÇK-së ka përballuar dhe ka dalur fitimtar para shumë sfidave dhe betejave edhe më të rënda, do të dalën fitimtare edhe në këtë betejë”, ka shkruar ai.

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2024