Ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në “Frontal” të T7 ka folur rreth deklaratës së zv/kryeministrit Besnik Bislimi, i cili tha se Gjykata Kushtetuese “duhet me u bë Qeveri njëherë, me dalë me kërku vota te qytetarët”.
Kadriu ka thënë se nuk janë veprime të mira, të mençura dhe politike vërsuljet e Bislimit ndaj Kushtetueses.
“Gjykata Kushtetuese është njëra prej institucioneve ose organeve më të larta në kuptimin e gjyqësisë e cila ka për detyrë kryesore interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, poashtu dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Por ka edhe kompetenca tjera, mes tjerash ka edhe kontrollin e pushteteve shtetërore. Kështu që unë nuk konsideroj që janë veprime të mira, të mençura dhe politike t’i vërsulesh Gjykatës Kushtetuese për atë arsye, sepse Gjykata Kushtetuese nuk vepron me rast ex officio, rastet i shkojnë Gjykatës Kushtetuese, përndryshe zv/kryeministri nëse don me vepru politikisht duhet përmes grupeve parlamentare”, tha Kryeziu.
Sot gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike e Kosovës pasi nga deputetët e opozitës i është përmendur çuarja e Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media në Gjykatë Kushtetuese, Bislimi është acaruar. Sipas tij, t’i besohet një ligji vetëm kur atë e verifikon Gjykata Kushtetuese i bie të pretendosh se qeveria e vërtetë është Kushtetuesja dhe jo Qeveria.
Madje Bislimi e ka banalizuar diskutimin teksa ka provuar të shpjegoj se si Qeveria dhe Kushtetuesja kanë role të ndara, duke iu thënë deputetëve të opozitës se me këtë formë veprimi do të përfundojnë duke thënë se “nesër vij në orën 8 se Gjykata Kushtetuese thotë”
“Në zgjedhjet subjektet garojnë me platformë dhe program dhe pasi ti fitojnë zgjedhjet, partia përmes qeverisë mundohet me i shty ato.Me thanë që për mua Ligji është ligj vetëm kur të thotë Gjykata Kushtetuese, është me pretendua që qeveria e vërtetë është Kushtetuesja e jo Qeveria.Janë role të ndara. S’është qeveri paralele. Nesër keni me përfunduar tu thanë nesër vij në orën 8 se gjykata Kushtetuese thotë.Nuk bën me vesh Kushtetuesen me kompetenca të cilat nuk i takojnë. Sot kushtetuesja po e vendos edhe sa duhet me qenë koeficienti. Nesër thotë jo edhe buxheti duhet me kanë kaq. S’mundet Kushtetuesja me vendos sa është paga e zv.kryeministrit.”, ka thënë Bislimi.
Bislimit duke mos i pëlqyer përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në vendimet apo Ligjet që bën qeveria, ka thënë se për ta bërë një gjë të tillë duhet të dilet e të kërkohet votë tek qytetari si gjykatë kushtetuese e pastaj të thuhet unë mund të vendosi për pagën e deputetit apo se sa anëtarë duhet t’i ketë KPM-ja
“Duhet me u bo qeveri njëherë, me dalë me kërku vota nihere si gjykatë kushtetuese, tani me thanë unë e vendosi pagën e deputeti, e unë vendosi a ka me i pas KPM 7 apo 11 anëtarë. Qeveria vendos. Kuvendi e voton ose e ndryshon përmes procedurave interne”, ka thënë Bislimi./Express/