Lajme
Ish-ambasadori japonez, ose banori më i ri i Shqipërisë – Si ta duash një vend për gjërat e thjeshta, në optikën e një diplomati
Demokracia
12:16 | 15 Qershor 2024

Share:

Çdo njeri ka të drejtën të kërkojë një punë me pagë më të lartë, por sërish mund të rimendojnë pozitën e tyre në Shqipëri.

Nuk është ndonjë spot elektoral i Qeverisë shqiptare, por një mesazh kuptimplotë i dhënë nga ish-ambasadori japonez në Shqipëri, Takada Mitsuyuki, i cili mund të emërtohet edhe banori më i ri i Shqipërisë, pasi ka zgjedhur që mbylljen e karrierës së tij diplomatike, ta zëvendësojë me jetesën në një vend ku më parë ka shërbyer.

E ka zgjedhur në fakt Shqipërinë mes 70 opsioneve të tjera që ka vizituar më parë dhe nuk ka dyshime: Ky vend është i jashtëzakonshëm.

Jo thjesht për rrethanat natyrore, apo edhe ato sociale, por për gjërat më të thjeshta të mundshme.

“Më pëlqen gjelbërimi dhe jetesa shumë e qetë. Dal dhe marr qumështin e freskët dhe kosin nga fqinjët. Këtë nuk mund ta bëj dot në Japoni”.

E thotë pa ekzagjerim këtë, gjatë një podkasti me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, edhe pse i vihet në dukje se ndoshta po e ekzagjeron.

Por, jo, thotë ai, nuk është aspak ekzagjerim, sepse Japonia është një vend i mrekullueshëm, i pastër, një vend ku gjithçka është shumë e volitshme dhe ke gjithçka pranë.

Por diplomatit Takada, i mungon jetesa e para 30-40 vjetëve, kur edhe Japonia, nuk ishte kjo që është sot – një ndër vendet më të zhvilluara në glob.

Dashuria mes Takada-s dhe Shqipërisë nuk ishte e thjeshtë për t’u ngjizur, pasi ai kurrë nuk kishte dëgjuar për të. Me caktimin si ambasador, filloi të hulumtonte, por pak gjëra gjente në mjediset virtuale japoneze për Shqipërinë. Ndaj, arriti që mahnitjen, ta gjende me prekjen direkte në tokë shqiptare.

I bëri përshtypje se si njerëzit ishin shumë miqësorë, por edhe shumë të ndryshëm nga japonezët.

Përshtypje, i bëri edhe siguria e vendit, të cilin e emërton ndër më të sigurtët në Evropë.

“Më ka befasuar. Nga vendet evropiane, Shqipëria është vendi më i sigurt dhe ambasadorët e tjerë më shprehen të njëjtin mendim. Shqipëria është vendi më i sigurt në Evropë”, thotë ai.

Megjithatë, thirrjen e ka edhe për sipërmarrësit, të cilët duhet të krijojnë vende pune me paga më të larta, vende pune të reja dhe t’i japin mundësinë shqiptarëve të jetojnë më mirë në vendin e tyre.

Më shumë për t’u vlerësuar ndërkaq, mbetet fakti se ai vetë, ndoshta e ka tejkaluar rolin e ambasadorit, duke u bërë një ambasador në jetën reale, falë lidhjeve që krijon mes bizneseve shqiptare dhe atyre japoneze vitet e fundit dhe me ndikimin që kërkon të ketë në rritjen e turizmit mes dy shteteve, pavarësisht largësisë së madhe gjeografike.

Takada, qartësisht në 30 minuta bisedë me Ramën, e shfaq ndjesinë tejet pozitive për Shqipërinë dhe e bën këtë duke kujtuar se si Japonia dikur nuk kishte asgjë, ishte ndër vendet më të goditura nga Lufta e Dytë Botërore, por u rimëkëmb falë mendësisë kolektive.

Diçka që ndoshta shqiptarëve u mungon, por që ai shumë bukur e përshkruan, përkthyer në kulturën japoneze.

E përbashkëta është më e madhe se sa ajo çfarë dikush mund të japë vetë. Vlen në sipërmarrje të mëdha, por vlen edhe në jetën e thjeshtë të fshatit. Një familje mund të punojë vetë, përshkruan diplomati, por duhet të bashkëpunojë me të tjerët dhe nëse nuk bashkëpunon, përjashtohesh.

Kjo është kultura e gjithëpërfshirjes, çelësi i suksesit japonez.

Tre mësimet e mëdha ndërkaq, i sjell në tre parime bazë, të transmetuara te ai nga eprori i kompanisë Mitsubishi, një gjigandi botëror të prodhimit të makinave dhe pajisjeve elektronike, në formën e tre parimeve:

I pari, kontributi në shoqëri. I dyti, integriteti dhe ndershmëria. I treti, të kuptuarit përmes biznesit.

Parime që i ka përcaktuar 100 vjet më parë themeluesi i kompanisë dhe që sot, si Takada, dhjetëra mijëra i ndjekin.

Vetë ambasadori, me devotshmëri, si një pishtar i gjallë i asaj çfarë mund të jenë raportet mes Tiranës dhe Tokyos, apo gjithë Shqipërisë dhe Japonisë, nëse palët vendosin të hapin horizontin për nga njëra-tjetra.

Të ngjashme