Lajme
Ish-aktivisti i Vetëvendosjes: “Në drekë me nënën Ferdonije, në darkë me Vuçiqin”, Kurti i shkeli të gjitha parimet
Demokracia
19:31 | 07 Maj 2022

Share:

Ish-aktivisti i Vetëvendosjes, Naim Ramizi, i plagosur në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, ia ka kërkuar bluzën e gjakosur nga plumbat në protestë, që ia kishte dhuruar më herët Albin Kurtit, pasi që thotë se ai i ka shkelur krejt parimet dhe tani e konsideron të padenjë për ta mbajtur atë bluzë.

Në protestën e 10 shkurtit kishin mbetur të vrarë dy aktivistë të Vetëvendosjes, Mon Balaj dhe Arben Xheladini.

Aty ishte plagosur edhe Naim Ramizi, i cili në një intervistë për Demokracia.com ka treguar se zhgënjimi nga kryeministri Kurti ka filluar qysh moti.

“Zhgënjimi im nuk është aktual, por ka filluar që moti, sepse i kam pasur dyshimet e mia se do të shkoi kësaj rruge që po shkon, por jo deri në këtë masë. Në vendin ku ia dhurova bluzën kryeministrit Kurti, kam kërkuar nga kryeministri Kurti që të ma kthej bluzën për shkak se nuk është i denjë ta mbajë atë bluzë dhe nuk e ka kuptuar mesazhin drejtë. Nëse eventualisht ajo bluzë nuk ka përfunduar në koshin e plehrave, sikurse kanë përfunduar krejt idealet dhe kauzat e Vetëvendosjes, kam kërkuar që ajo bluzë të më kthehet prapa, sepse ajo përfaqëson sakrificën time personale në këtë shesh, duke kundërshtuar negociatat që tashmë ai i ka filluar”, ka thënë Naim Ramizi, ish-aktivist i Vetëvendosjes për Demokracia.com.

Ish-aktivistit të plagosur të Vetëvendosjes po i duket hipokrizi e madhe që kryeministri Kurti të hajë drekë më nënën Ferdonije e darkë me Vuçiqin.

“Kjo është e padenjë, hipokrizi të hajë drekë më nënën Ferdonije Qerkezi e darkë me Vuçiqin, këto dyja nuk shkojnë bashkë. E ne i kemi kundërshtuar negociatat të cilat zhvilloheshin me Serbinë, duke konsumuar shumë shpesh edhe vepra penale të thirrur e të nxitur pikërisht nga ky njeri. Sot, po i shkelë të gjitha parimet”, ka thënë Ramizi për Demokracia.com.

Protestën e 10 shkurtit 2007, ai e kujton duke protestuar te Qeveria afër rrethojave të vendosura nga Policia e Kosovës.

Ramizi, po ashtu, i kujton edhe fjalët e Albin Kurtit kur u kishte thënë: “Unë po zbres poshtë e po ju bashkohem juve. Ne do të vazhdojmë rrugës drejtë Vetëvendosjes e deri në Vetëvendosje”.

“Unë jam plagosur gjatë protestës e qysh kam marrë vesh prej shokëve, Arben Xheladini është vrarë afër pllakës përkujtimore dhe Mon Balaj te shkallët e hotel Ilirisë”, ka thënë Ramizi, duke treguar se gjatë kohës së protestës, Albin Kurti kishte qëndruar prapa kordonit të policisë.

“Albin Kurti kishte qëndruar prapa kordonit të policisë. Albini ka mundur të lëndohet nga gazi lotsjellës, por jo nga plumbat”, ka shtuar ai.

Ish-aktivisti i Vetëvendosjes ka thënë se kryeministri Kurti po del që nuk ka pasur kurrë parime dhe ideale.

Deri para disa muajve, Naim Ramizi ishte zyrtar në Divizionin për Mbrojtje Juridike në Ministrinë e Drejtësisë, por ai ishte larguar nga puna pak para përfundimit të orarit më 28 qershor të vitit të kaluar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ramizi për Demokracia.com ka thënë se largimi nga puna ka qenë politik.

“Ministrja Haxhiu asnjëherë nuk ka protestuar me mua e vonë ka ardhur në Vetëvendosje. E largimi nga puna ka qenë politik”, ka thënë ai.

Naim Ramizi i ka mbajtur edhe 3 vite burg në Serbi dhe ai vazhdon të jetë i kërkuar nga autoritetet e Serbisë, ku si pasojë ka shumë vite që nuk ka qenë më në vendlindjen e tij në Luginën e Preshevës. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme