Lajme
Isak Shabani: Masakra e Dubravës ka qenë një tmerr i jashtëzakonshëm, kemi pa njerëz pa kokë, pa duar, pa këmbë
Demokracia
22:11 | 14 Qershor 2024

Share:

Isak Shabani është i mbijetuar i Masakrës së Dubravës.

Ai në një intervistë dhënë për Blic Interview me Astrit Gashin ka treguar tmerrin e përjetuar ato ditë.

Shabani thotë se kanë parë njerëz pa gjymtyrë dhe pa pjesë të trupit.

“Me 16 maj 1999 e kanë tërheq profesorin e nderuar, Ukshin Hoti, nga burgu. Deri me 16 maj kemi pas kontakt, sepse prej Mitrovicës së Sremit së bashku kemi qenë edhe në Nish edhe në burgun e Dubravës. Kur e kemi pa profesorin që po largohet nga qelitë e burgut në Dubravë, ne u gëzuam se thamë ‘një po shpëton’. Gjithë shpresonim se ndonjë organizatë ndërkombëtare ka ardhë dhe e ka marr se e dinim se është gjendje lufte. Mirëpo masakra më e madhe ka qenë në burgun e Dubravës me 22 maj në orët e hershme të mëngjesit. Pasi që burgu i Dubravës u bombardua nga aeroplanët, gardianët, paramilitarët, policët u tërhoqën nga objektet e burgut, si duket u vendosën nëpër ato strehimoret e tyre kur e shikonin që po vijnë aeroplanët dhe na kanë lënë ne vetëm. Do të burgosur të tjerë që kanë qenë duke mirmbajtur objektet përreth, parqet kanë ardhë dhe na kanë ndihmu e i kemi hap dyert e qelisë së burgut dhe kemi dal të gjithë në oborr. Me 22 maj na kanë lënë nëpër objekte të burgut, dhe objektet përreth, dhe herët në mëngjes nëpër ato pikat vrojtuese kanë dal një gardian i cili ka thënë se për shkaqe sigurie ‘hajde rreshtohuni se kemi me ju transferu”. Të gjithë të burgosurit kemi dal jemi rreshtu dhe kemi dëgju krismat, ka patur lloj lloj arme, automatik, mitraloz, bomba, snajper nëpër pikat vrojtuese. Aty i kanë vra diku 100 shqiptarë të burgosur politik , 300 u plagosëm dhe kemi fillu me lëviz drejt një ultësire që mos me na kap drejtpërdrejt.

“Unë kam pas fatin mos me qenë i plagosur por ishte puna se si t’iu jepje ndihmë atyre 300 të plagosurve kur skishe asgjë. Fatmirësisht ka qenë një ambulancë e burgut aty, e kemi hapur, kemi gjet jod dhe fasha dhe kemi fillu maicat dhe qarqafët me i shky me u mundu me i lidh plagët sado pak për t’a ndaluar gjakderdhjen. Aty kemi pa tmerrin, kemi pa njerëz pa kokë, pa duar, pa këmbë. Ka qenë tmerr i jashtëzakonshëm që ka zgjat deri me 24 maj kur na kanë transferu në burgun e Lipjanit” tha Shabani.

Të ngjashme