Isa Mustafa edhe zyrtarisht ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së.
Isa Mustafa edhe zyrtarisht ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), gjatë Kuvendit Zgjedhor që po e mban ky subjekt politik, raporton Demorkacia.com.
Mustafa në një deklarim për medie tha se dorëheqja e tij është e parevokueshme.
“Dëshiroj t’ju njoftoj se posa dhashë dorëheqje nga pozita e LDK-së, dorëheqja ishte e parevokueshme dhe nuk hap diskutim lidhur me të. Unë falënderova strukturën dhe anëtarësinë për punën 10-vjeçare që e kam bërë”, tregoi Mustafa.
Ai ka thënë se kryetari i ri i LDK-së do ta çojë përpara këtë parti.
“Kam besim edhe sot që ky kuvend do të nxjerr një kryetar të LDK-së që do ta çojë LDK-në përpara mbi bazat të cilat është themeluar kjo parti, parti e cila kultivon partneritet të fuqishëm me SHBA-në, BE-në dhe parti e cila është si parti shtetformues ee cila në asnjë rast nuk duhet t’i mungojë strukturave të shtetit dhe besoj se do të kthehet fuqishëm”, u shpreh Mustafa, raporton më tutje Demokracia.com.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se nuk është pishman për asnjë vendim që ka marrë ai si kryetar por edhe si parti, pasi siç theksoi edhe për prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, ka qenë një vendim i duhur, pasi që për shkak të këtij koalicioni edhe marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në janë zbehur dhe kanë qenë në rrezik.
Sipas tij, Kosova e ka paguar këtë çmim për shkak të këtij koalicioni dhe se kjo ishte arsyeja përse LDK-ja ka prishur koalicion me LVV-në. /Demokracia.com/