Sfida e Ligës së Kombeve me Kombëtaren e Kosovës ka bërë që shumë prej tifozëve të Irlandës së Veriut të udhëtojnë me kilometra deri në Prishtinë, e shumë nga ta pritet të arrijnë orëve në vijim.
Kosova dhe Irlanda e Veriut do të përballen të enjten me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, raporton Demokracia.com.
Dhjetra tifozë irlandezo-veriorë janë parë sot në sheshin e kryeqytet duke zënë vendet nëpër kafiteri të ndryshme për ta shijuar Prishtinën, por edhe të nisin festën para duelit. Pija që dominonte nëpër tavolinat e tyre ishte birra.
Demokracia.com siguroi disa pamje nga sheshi i Prishtinës, ndërsa u ndal për ta pyetur një tifoz nga Irlanda e Veriut rreth përshtypjes së tij për popullin e Kosovës dhe atmosferën në përgjithësi para ballafaqimit.
Ai pohoi se është hera e parë që viziton Kosovën, ndërsa ajo që i la përshtypje ishte se njerëzit po tregojnë respekt për ta.
“Jam për herë të parë në Kosovë. Prishtina më duket qytet i qetë deri më tani. Njerëzit po na përshëndesin vazhdimisht. Faleminderit. Mendoj se do të fitojmë 0:2 të enjten”, tha tifozi irlandezo-verior, Smith për Demokracia.com.
Kosova dhe Irlanda e Veriut bëjnë pjesë në Grupin 3 të Ligës C në Ligën e Kombeve së bashku me Qipron dhe Greqinë.
“Dardanët” pësuan në ndeshjen e fundit 0:2 kundër Greqisë, ndërkohë që Irlanda e Veriut barazoi pa gola me Qipron në udhëtim./Demokracia.com/