IRAN- “Izraeli ka kaluar vijat e kuqe në Gaza, të cilat mund të detyrojnë të gjithë të ndërmarrin veprime”, tha sot presidenti iranian Ebrahim Raisi .
“Krimet e regjimit sionist i kanë kaluar vijat e kuqe, të cilat mund t’i detyrojnë të gjithë të ndërmarrin veprime. Uashingtoni na kërkon të mos bëjmë asgjë, por ata vazhdojnë t’i japin mbështetje të gjerë Izraelit. Shtetet e Bashkuara i dërguan mesazhe Boshtit të Rezistencës, por morën një përgjigje të qartë në fushën e betejës”, tha Raisi në një postim në rrjetet sociale, raporton CNN.
Fushata e ashpër ushtarake e Izraelit në Gaza ka ngritur shqetësime se do të hapen më shumë fronte lufte. Ekspertët thonë se ndërsa Irani është i kujdesshëm për t’u tërhequr zvarrë në luftën Izrael-Hamas, ai mund të mos jetë në kontroll të plotë nëse milicitë që ai mbështet në rajon ndërhyjnë në mënyrë të pavarur pasi Hamasi pëson goditje të rënda dhe numri i të vdekurve në Gaza vazhdon të rritet.