Lajme
Irani fajëson Izraelin për shpërthimet në tubacionet e gazit
Demokracia
18:08 | 21 Shkurt 2024

Share:

Ministri iranian për Naftë, Javad Owji, ka fajësuar Izraelin për një sërë shpërthimesh të ndodhura së fundi, që ndërprenë linjat e transmisionit të gazit në provinca të Iranit, incidente që kanë rritur edhe më shumë tensionet mes dy shteteve rivale.

Duke folur me gazetarët më 21 shkurt, Owji i përshkroi incidentet si akte të qëllimshme të orkestruara nga Izraeli, që sipas tij, synonin të minonin furnizimet e brendshme të Iranit në dy provinca të mëdha. Owji nuk ofroi dëshmi për të mbështetur pretendimet e tij.

Autoritetet izraelite, si zakonisht, nuk kanë reaguar publikisht për këto akuza, shkruan REL.

Shpërthimet e 14 shkurtit goditën linjat kombëtare të Iranit, duke çuar në ndërprerje të furnizimeve me gaz për të paktën pesë provinca iraniane. Shpërthime u raportuan në provincat Fars, Çaharmahal dhe Baktiari, ndërkaq kompania kombëtare e gazit i cilësoi incidentet si “akte sabotuese dhe terroriste”, që shënjestruan dy tubacione kryesore.

Në një artikull më 16 shkurt, New York Times citoi dy zyrtarë perëndimorë dhe një ekspert ushtarak të lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit të kenë thënë se është e mundur që Izraeli qëndron prapa jo vetëm të shpërthimeve në tubacione, por edhe të një incidenti të ndarë në një fabrikë kimikatesh në perëndim të Teheranit.

Të ngjashme