Lajme
IPK-së i kërkohet që t’i hulumtojë policët që përdorën forcë në arrestimin e aktivistëve të PSD-së
Demokracia
19:56 | 16 Korrik 2021

Share:

KMDLNJ ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës të bëjë hulumtime në se policia ka tejkaluar autorizimet zyrtare në arrestimin e aktivistëve të Partisë Socialdemokrate.

PSD organizoi një aktivitet kundër vendosjes së taksës prej 5 eurove që e bëri publik qeveria e Kosovës. Aktiviteti u zhvillua para Ministrisë së Drejtësisë ku, në veturat zyrtare u vendos mbishkrimi “Zhvatës”, përcjell Demokracia.com.

Gjatë këtij aktiviteti të organizuar nga PSD, Policia e Kosovës arrestoi 9 anëtarë të kësaj partie të cilët pas intervistimit u liruan.

Lidhur me këtë, mes shumë reagimeve, janë deklaruar edhe nga KMDLNJ.

“KMDLNj nuk ka qenë e informuar për këtë aktivitet prandaj nuk ka dërguar monitorues. Në bazë të pamjeve nga protesta duket se gjatë arrestimit policia ka përdorur forcë në shpërputhje me rrezikun e paraqitur nga protestuesit. Për këtë arsye, KMDLNj kërkon nga Inspektorati Policor i Kosovës të bëjë hetime nëse Policia ka tejkaluar autorizimet zyrtare duke përdorur forcë të tepruar. KMDLNj e përkrahë çdo protestë paqësore që është në përputhje me ligjin, si instrument demokratik për realizim të drejtave të njeriut. Dhuna ndaj protestuesve për KMDLNj është e papranueshme dhe pamjet gjatë arrestimit janë shumë shqetësuese”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.

dryshe, disa anëtarë të PSD-së janë arrestuar sot pas aksionit tek objekti i “Rilindjes”.

Ndërkaq, kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj po mbahet në paraburgim për 48 orë.

Më herët, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi për Demokracia.com tha se disa prej aktivistëve janë liruar./Demokracia.com/

Të ngjashme