Lajme
IPK-ja inicion procedurë ndaj komandantëve serbë të Policisë së Kosovës që u takuan me Vuçiqin
Demokracia
09:32 | 25 Mars 2022

Share:

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim ishte diskutuar për vendimin e Qeverisë e Kosovës që të mos lejohej mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Lajmin për Demokracia.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka.

“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë”, ka thënë Beka për Demokracia.com.

Ndryshe, mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Serbi është mbajtur më 22 mars. Ndërsa, aty u raportua se kanë marrë pjesë edhe pesë eprorë të Policisë së Kosovës nga komunat e veriut të vendit.

Në media qarkulluan emrat se në mbledhje ishin Shefi i Hetimeve Rajonale në Mitrovicën Veriore, Nenad Simiq, Komandanti i Stacionit Policor në Mitrovicën Veriore, Goran Zivkoviq, Igor Vukadinoviq nga Stacioni Policor në Leposaviq, Komandanti i Stacionit Policor në Zubin Potok, Zvezdan Milivojeviq dhe Shefi i Hetimeve në Zveçan.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), gjatë të mërkurës, kishte reaguar pas raportimeve ndaj pjesëmarrjes së Stevanoviq, e cila po ashtu ka marrë pjesë në takimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lidhur me këtë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.

“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e radhës”, thuhet në njoftimin e KGJK’së./Demokracia.com/

Të ngjashme