Lajme
IPK arreston dhe suspendon dy zyrtarë policorë në Pejë, i kërkuan para një qytetari për të mos i shqiptuar gjobë
Demokracia
12:21 | 20 Prill 2025

Share:

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar dy zyrtarë policorë në Pejë, pasi të njëjtit dyshohet se kur kishin ndaluar një qytetar, për të mos i shqiptuar gjobë i kishin kërkuar para, shkruan Reporteri.net.

“Të dy zyrtarët po hetohen për veprën penale “marrje ryshfeti” dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve.

Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar sot informacione nga një qytetar i cili pretendonte se dy zyrtarë policorë nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se zyrtarët policorë e kishin ndaluar qytetarin në një pikë kontrolli dhe për të mos i shqiptuar gjobë i kanë kërkuar qytetarit një shumë monetare”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

“Pas veprimeve paraprake hetimore të kryera nga hetuesit e IPK-së, janë arrestuar dy zyrtarët policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” dhe të njëjtëve me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.

IPK njofton se është rekomanduar suspendimi i tyre

“Për të parandaluar çdo ndikim të mundshëm në rrjedhën e hetimit si dhe për të mbrojtur integritetin e procedurës hetimore, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e tyre.

Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet në njoftim./Reporteri.net.

Të ngjashme