Trajneri i Interit, Simone Inzaghi thotë se skuadra e tij duhet të shënojë në pjesën e parë kundër Liverpoolit të martën në Champions dhe insiston se skuadra e tij meritonte një rezultat më të mirë në ndeshjen e parë.
“Nerazzurrët” vizitojnë “Anfield Road” nesër në ndeshjen e dytë të fazës së 16-të të Ligës së Kampionëve.
Ata humbën 2-0 në Milano tri javë më parë dhe Inzaghi beson se njerëzit e tij meritonin diçka më shumë në ndeshjen e parë kundër gjigantëve të Premierligës, përcjell Demokracia.com.
“Rezultati po ndikon tek ne, ne luajtëm një lojë të shkëlqyer dhe rezultati ishte shumë penalizues për ne”, tha trajneri në një konferencë për shtyp.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë nesër, por ne kemi një motivim të madh. Është e rëndësishme, do të thosha thelbësore, të shënosh një gol në pjesën e parë, por e dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”.
“Ne e përgatitëm ndeshjen për tri ditë, djemtë janë të fokusuar. Ishte e mrekullueshme të luajmë ndeshjen e parë në Milano dhe jemi të vetëdijshëm se nesër do të jetë edhe më e vështirë”.
“Interi nuk kishte arritur në këtë fazë të kompeticionit për shumë vite dhe ne e dinim se do të përballeshim me një skuadër më të mirë që do të ishte e dyta në fazën e grupeve. Ne bëmë më të mirën në ndeshjen e parë dhe do të bëjmë të njëjtën gjë nesër”, shtoi tekniku italian.
Takimi i dytë i fazës së 1/8 së finales zhvillohet të martën mbrëma me fillim nga ora 21:00. /Demokracia.com/