Elita e futbollit kosovar çdo herë e më shumë po deshifrohet për shpenzimet enorme që po i bënë.
Sigurisht me rritjen e investimeve është e qartë se duhet të rritet edhe cilësia dhe interesimi për garat, por për momentin tek ne po ndodh e kundërta, shkruan Demokracia.com.
Gjithsesi, do të ishte jo korrekte që qysh në javën e katërt individualisht të fajësohet futbollistët që nuk po japin asgjë, por duhet pranuar që në aspektin e përgjithshëm investimet e mëdha që janë bërë deri tash nuk kanë sjellë asgjë përveç dëshpërimit, prapë në qendër të vëmendjes po mbesin lojtarët vendorë.
Prishtina, është nën kuotën e dëshiruar të pikëve, ngjashëm mund të thuhet edhe për Gjilanin. Drita e Ballkani janë deri diku më mirë por bazuar në lëvizjet që kanë bërë ato në katër ndeshje është dashur të kenë më shumë sesa tetë pikë sa kanë tash.
Aktualisht tabelës i prinë Drenica me 10 sosh, derisa rival i madh mbetet Malisheva, që vjen për herë të parë në Superligë dhe nuk është se ka sjellë lojtarë nga jashtë.
Ish-futbollisti i njohur kosovar, Taulant Dajaku në një analizë bërë katër javëve të parë në futbollin kosovar, për Demokracia.com ka thënë se pritshmëritë kanë qenë ndryshe dhe se kemi shpenzime enorme me synime ngritjen e cilësisë, por deri tash nuk po japin produkt.
“Mësimi që assesi nuk po e marrim si Kosovë është diferenca në mes shpenzimeve pa kontroll dhe një plani sportiv që merr trajton dhe zhvillon lojtarë që dihet cilësia e tyre. Në rastin e Kosovës kemi shpenzime enorme me cilësi që nuk po jep produkt, prandaj gjykoj se kjo po e rrit nivelin e zhgënjimit tek ekipet që kanë pasur pritshmëri se me investime enorme mund të blejnë suksesin”, ka thënë Dajaku.
Se a do të arrijë të zhbllokohen këta lojtarë që në Kosovë po vijnë me shpenzime enorme apo do të mbesin vetëm si lojtarë që do t’i kufizojnë të rinjtë të paraqiten në fushë, mbetet të shihet në vazhdim, por tash për tash sinjalet janë të mira.
Dajaku mendon se klubet tona deri tash është dashur ta mësojnë dallimin me investimeve në cilësie dhe investimeve të pakontrolluara.
“Nëse kjo gjë do të jepte mësimin e duhur, besoj se Kosova do të kthehet në orientimin që duhet të ketë investim tek lojtaret e rinj që klubet do t’i kenë si asete për të ardhmen”, ka përfunduar Taulant Dajaku. /Demokracia.com