Intervista
Intervistë | Sa qytetarë humbën jetën në masakrat e Mitrovicës dhe sa u dëbuan nga shtëpitë e tyre?
Demokracia
12:18 | 21 Prill 2021

Share:

Edhe 22 vite pas përfundimit të luftës, Kosova ende përballet me plagët e luftës por edhe me ndjenjën e mospërkrahjes dhe padrejtësisë. Në Mitrovicë, plagët e luftës i mban të gjalla edhe ndarja e qytetit si dhe bindja se nuk është bërë mjaft për të quar në vend drejtësinë.

Mitrovica përjetoi gjithsej 12 masakra dhe nga ato humbi 455 persona. Mbi 11 mijë shqiptarë, por edhe boshnjakë e turqë, u dëbuan nga forcat serbe nga shtëpitë e tyre në veri të vendit. Në një intervistë të dhënë për Demokracia.com, ish-kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, rrëfen përvojën e tij dhe përjetimet e Mitrovicës si dhe ndjenjën e zhgënjimit të popullatës.

Demokracia.com: Rruga për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është e vështirë. A ju ka zmbrapsur kjo nga qëllimet tuaja për mbrojtjen e këtyre të drejtave?

Halit Barani: Të gjitha ato kërcënime pavarësisht kush i ka bërë, mu veç më kanë obliguar që të jepem edhe më me vrull e të jap të gjitha ato çfarë kam mundur prej vetes. Për asnjë moment nuk jam sprapsë nga mbrojtja e të drejtave të njeriut. E kam ditur për çfarë po punoj dhe nuk e kam bërë e as nuk e bëj për lekë.

Demokracia.com: Sot pas 22 vitesh, kur çdo vit shënohen këtë përvjetorë të masakrave, përveç vizitave përkujtimore, a bëhet vizita tjera nga qeveritarët për t’u interesuar me bashkëjetesën multietnike këtu?

Halit Barani: Fatkeqësisht, lerë që nuk vijnë politikan këtu por edhe pengojnë në punë. Përjashtim mund të bëjmë për kryetarin e ri të Mitrovicës, Agim Bahtirin, ku në shumë vende kanë vendosë pllaka përkujtimore që më parë bëheshin vetëm nga familjarët e të vrarëve. Nuk interesohen fare, kur vjen koha e zgjedhjeve, ata vijnë dhe interesohen për ne sepse iu duhen votat.

Demokracia.com: Çfarë keni bërë ju për drejtësinë për viktimat në Mitrovicë?

Halit Barani: Shumë herë kam dalë në media me shkrime, me emra dhe mbiemra të atyre që e kanë pësuar por edhe me emra dhe mbiemra të atyre që kanë ushtruar dhunë, kanë vrarë në rrugë, në shtëpi. Asgjë nuk është bërë për ta (kryesit e krimeve), përkundrazi janë amnistuar shumë kriminelë për masakra në mbarë Kosovën.

Demokracia.com: Sa viktima ka pasur gjithsej në Mitrovicë?

Halit Barani: Në Mitrovicë janë varë 455 shqiptarë pa dallim moshe dhe gjinie, prej një fëmije 2 muajsh e deri më të moshuarin 83 vjeçarë. Ata ishin civil, të pafajshëm, nëpër shtëpia ku kanë hyrë dhe i kanë pushkatuar.

Fatkeqësisht, Mitrovica e ka një pjesë të okupuar edhe tash 22 vite pas luftës. Sot e asaj dite, ata që i kanë shtëpitë e rrënuara atje nuk mund t’i rinovojnë. E edhe atëherë kur kanë tentuar t’i rindërtojnë, janë penguar, duke ua rrënuar, dhe nuk i kanë lënë të afrohen afër trojeve të veta. Fajtorët kryesorë janë udhëheqësit tanë, prej pas lufte e deri më tani. Nuk interesohen për popullatën e pjesës së okupuar, që nuk janë vetëm shqiptarë por edhe turq, boshnjakë, e që janë të dëbuar nga forcat serbe.

Demokracia.com: Keni pasur kontakt me banorët e asaj pjese e që kanë lënë shtëpitë dhe ku janë vendosur pas dëbimit me forcë?

Halit Barani: Unë më herët kam pasur kontakte të vazhdueshme. Më kanë porosit shumë herë disa udhëheqës të bisedojë me ta, që të mos i shesin shtëpitë e tyre, por unë nuk mund t’iu them këtë përderisa nuk mund t’iu ofrojmë zgjedhje.

Kanë mundur udhëheqësia tëvijnë e t’ju thonë “mos i shitni shtëpitë”, edhe t’ju ofrojnë banim, p.sh në shumë objekte që janë të boshatisura në mbarë Kosovën.

Kosova për serbet bënë zgjidhje ndërsa për shqiptarët jo.

Pjesa dërrmuese të banorëve të pjesë së okupuar kanë jetuar në bodrume me fëmijë dhe shumë prej tyre e kanë pësuar nga shumë sëmundje. Askush nuk është përkujdesur për ta. Pikërisht këta njerëz shprehen ashpër ndaj shtetit që nuk po i mbron.

Demokracia.com: A keni tentuar që të bisedoni me kryetarin e komunës për t’iu mundësuar banim këtyre qytetarëve që janë të pastrehuar ngase i kanë shtëpitë e tyre andej urës?

Halit Barani: Kryetari ka bërë përpjekje për kthimin e disa banorëve, të cilët edhe deshën vet t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre në Kroin e Vitakut. Edhe ky është penguar nga udhëheqja qendrore.

Demokracia.com: Ju si kryetar i KMDLNJ-së a keni pranuar edhe ankesat e personave të komuniteteve tjera dhe si i keni trajtuar ato?

Halit Barani: Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, nuk e ka mision vetëm ruajtjen e shqiptarëve por të të gjithëve dhe iu kemi ndihmu të gjithëve sa kemi pasur mundësi, ka pasur edhe romë, serbë, boshnjakë. Por ne quhemi më shumë si Këshilli i Vajtimit ashtu siç e quante i ndjeri Adem Demaçi sepse nuk i mori parasysh askush kërkesat tona.

Demokracia.com: A u arrestuan ndonjë prej kryesve të vrasjeve ndaj shqiptarëve në Mitrovicë?

Halil Barani: Vlen të përmendi se qysh në legjislaturën e parë, të gjithë deputetëve ju kam shkruar, me emra dhe mbiemra, për serbët që kryen krime në Mitrovicë dhe mbarë Kosovë, por i kanë fshehur. Ju kam përsëritur disa herë dhe i kanë me emra që ju kam dërgu, por i amnistuan ata që kanë dhunuar.

Ata që kanë kryer krime, punojnë nëpër institucione publike të Kosovës, më lirshëm lëvizin ata nëpër këtë pjesë sesa ne.

Në vitin 1999 erdhën xhandarmëria dhe i arrestuan 21 kriminelë në Mitrovicë, në mesin e tyre edhe një shqiptar, por kur erdhën policia e UNMIKU-t, 15 prej tyre janë lejuar të ikin nga burgu.

Unë kam qenë në atë burg. Është e pamundur të ikësh ashtu siç thanë ata.

Demokracia.com: Sa masakra dhe sa të vrarë kishte gjithsej në Mitrovicë?

Halit Barani: Në Mitrovicë pati 12 masakra, edhe pas luftës. Më 3 e 4 shkurt të vitit 2000, prej orës 21:00 deri në mëngjes në ora 05:00 janë vrarë 10 shqiptarë, në mesin e tyre edhe një 13 vjecar. 25 janë plagosur me armë zjarri, 93 janë keqtrajtuar në mënyrën më barbare.

Prej vitit 2000 deri më 17 mars të viti 2004 prej pjesës së okupuar të qytetit janë dëbuar 1 mijë e 564 familje me gjithësej 11 mijë e 364 anëtarë shqiptarë dhe disa boshnjakë dhe tre familje turke.

Kjo masakër është kryer para syve të policisë së UNMIKUT-ut dhe para ushtrisë franceze. I kam edhe incizimet dhe fotografitë prej dëbimeve, ku shihet se askush nuk iu ofronte ndihmë.

Demokracia.com: Për fund, a besoni që drejtësia do të bie në vend për ata që u vranë dhe u masakruan barbarisht nga forcat serbe?

Halit Barani: Jam skeptik për njerëzit që po zgjidhen në krye vendi, nuk besoj që do të bëhet diçka në këtë drejtim. S’ju intereson. Këta ishin ata që thanë se duhet të mbyllet vendi ndërsa udheheqësia u largua nga Kosova dhe shkuan në Shqipëri. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme