Arte
Intervistë/ Rrëfimi i psikologes për vuajtjet dhe sfidat e refugjatëve që tregohet përmes syve të tyre
Demokracia
17:36 | 20 Qershor 2021

Share:

“Sytë janë pasqyra e shpirtit” thotë një shprehje, përdorimi i së shpeshtë i së cilës e ka klisheizuar, mirëpo në librin “Meet My Soul” sytë vijnë si portale për të bashkëndjerë me dhimbjen e refugjatëve dhe azilkërkuesve. Këto fotografi të syve të tyre shoqërohen me copëza historish që na ndihmojnë të shohim përjetimin e tyre, vuajtjen, dëshirat, mungesat, të cilat shfaqen sikur sekuenca filmi të trishtë para syve të mendjes tonë.

Malisa Zymberi, natyrën e punës me refugjatë për herë të parë e filloi si vullnetare në vitin 2015 në Gaziantep, Turki – një qytet 50 kilometra larg kufirit me Sirinë. Vite më vonë punën me refugjate e vazhdoi edhe në Island, ku ishte pjesë e projekteve të ndryshme me Kryqin e Kuq Islandez. Pas rikthimit në Kosovë në vitin 2019, ajo u punësua nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në partneritet me UNHCR-në si psikologe për refugjatë dhe azilkërkues në Kosovë.

Të gjitha këto përvoja rezultuan me nevojën e saj për të dokumentuar dhe ndarë me të tjerë vetëdijen dhe dhimbjen për këta njerëz dhe peripetitë e tyre, përmes një këndvështrimi tjetër prej së cilit jemi mësuar.

Demokracia.com: Cili është koncepti i librit“Meet My Soul”?

Melisa Zymberi: Koncepti i librit ka ardhë si ide që përmes fotove të syve dhe mesazheve të azilkërkuesëve dhe refugjateve, të arrijmë  tek shoqëria dhe t’i bëjmë të reflektojnë mbi mënyrën e mikpritjes dhe qasjen që kanë drejt këtyre personave.  Jemi munduar të përfshijmë  sy dhe mesazhe nga fëmijë të cilët kanë ëndrra të fuqishme për të ardhmen, gra të cilat kanë humbur njerëzit ma të afërt të zemrës, e burra të cilët pavarësisht sfidave mundohen të qëndrojnë të fortë përgjatë gjithë rrugëtimit. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në partneritet me UNHCR, ka dhjetë vite që ofron shërbime të shëndetit mendor për azilkërkues dhe refugjatë në Kosovë, dhe tashmë ka krijuar një vizion se si të ndërgjegjësoj shoqërinë tonë rreth përjetimeve të këtyre personave.

Demokracia.com: Çka ju ka inspiruar?

Melisa Zymberi: Inspirimi kryesor është puna që e bëjmë çdo ditë me azilkërkues dhe refugjatë në qendër të azilit në Magure dhe Vranidoll.  Gati  për  çdo ditë dëgjojmë histori të reja me përplot vuajtje dhe sfida, kërkesa të cilat ndryshojnë nga personi në person dhe nevoja, të cilat shpesh janë emergjente. Sytë apo gjuha jo verbale ka qenë shumë shpesh mënyra e vetme e komunikimit me këta persona, duke e marrë parasysh barrierën e gjuhës, traditave dhe kulturës që mund të kemi shumë shpesh. Pavarësisht që organizata ka përkthyes në baza ditore, shpesh përmes syve kemi mundur të shohim dhimbjen apo nevojën që ndonjë nga azilkërkuesit ka pasur. Duke qenë në pozitën e psikologes, pa dallim moshe apo gjinie, shpesh në seanca të ndryshme,  sytë përplot lot kanë qenë komunikimi i vetëm i një seance të plotë. E të gjithë këto përjetime dhe histori do të ishte e dhimbshme të mos dokumentohen dhe të ndahen me njerëzit, të cilët dëshirojnë të mësojnë dhe bashkëndjejnë për azilkërkuesit dhe refugjatët në vendin tonë.

Më gjithë përjetimet dhe vuajtjet, këta persona prapë gjejnë mënyrë se si të na falënderojnë për punën tonë në mënyrat ma domethënëse të mundur. Këto momente e inspirojnë gjithë ekipin për të vazhduar me punën, e cila bëhet me shumë dashuri e përkushtim.

Demokracia.com: A keni bashkëpunuar me dikënd tjetër për këtë projekt?

Melisa Zymberi: Po, libri defenitivisht nuk ish kanë i mundur po të mos ekzistonte organizata në të cilën dhe punoj, QKRMT dhe mbështetja të cilën e marrë vazhdimisht nga ta. Mirëpo, librit i kanë dhanë jetë fotografi Agon Mehmeti me fotografitë dhe dizajneri, Arber Gjigolli – ku të dytë pavarësisht profesioneve të ndryshme, e kanë shkri veten dhe janë mishëruar me historitë e këtyre personave, ku në fund kanë sjellur një produkt jashtëzakonisht të ndjeshëm për shoqërinë.

Demokracia.com: A keni ndonjë histori personale që e ka inspiruar librin?

Melisa Zymberi: Me qenë e sinqertë ka shumë histori dhe momente të vogla që përgjatë punës më kanë inspiruar për këtë libër. Njëra prej historive edhe është pjesë e librit. Është një fëmijë tre vjeç, të cilit ka kohë që vëllai i tij më i madh, i cili gjithmonë është kujdesur për të, ka migruar nga Kosova drejt Evropës. Diku në javën e tretë, fëmija në fjalë, është ulë çdo ditë tek shkallët e qendrës dhe ka pritë vëllain e tij të kthehet. Në herën e parë kur kam qenë dëshmitare, jam ulë afër dhe e kom shikuar në sy në mënyrë se çka po ndodhë këtu, është kthyer dhe më ka shikuar edhe ai: “Abbas” –  emri i vëllait të  tij.  Bashkë kemi qëndruar të ulur dhe të heshtur për disa minuta deri sa dhe vet e kuptoi që vëllai i tij tashmë ish diku shumë më larg se sa ai vet e imagjinonte.

Demokracia.com: Çka ke mësuar ose kuptuar personalisht gjatë procesit të fotografimit për këtë libër?

Melisa Zymberi: Është një detaj shumë interesant i procesit të fotografive dhe punës së librit në përgjithësi. Personat të cilët janë të fotografuar, veç kam qenë e familjarizuar me ta dhe historitë e tyre dhe kemi kohë që punojmë bashkë në mirëqenien e tyre. Por, kur Agoni, fotografi, i ka dërguar fotografitë që ishin realizuar gjatë ditëve – e kam hapur laptopin dhe duke i pa fotografitë ngadalë dhe një nga një; ka qenë komplet horizot tjetër dhe përtej asaj që kom mundur të imagjinoj. Nuk ka pas ndonjë rëndësi që unë i njoh edhe personalisht , sytë, mënyra e shikimit të tyre drejt syve të mi, dhimbja brenda atyre syve, e ka lëkund një pjesë të madhe të qenies time. E kjo në njëfarë forme më ka ndihmuar të kuptoj që projekti do të ketë ndikimin e duhur dhe do të arrijë të prek personat që ne mendojmë se duhet të vetëdijesohen dhe të ndërgjegjësohen rreth kësaj çështje. /Demokracia.com/ 

 

 

Të ngjashme