Arte
Intervistë me regjisorin kosovar filmi i të cilit po konkuron për çmimin Palme d’Or
Demokracia
21:56 | 08 Korrik 2021

Share:

Në periudhën e fundit, kinematografia kosovare ka arritur suksese, të cilat kohë më parë do të dukeshin si ëndrra të çmendura, e krejt ky sukses ka  dëshmuar edhe njëherë që asgjë në të cilën ngërthehen puna dhe pasioni nuk është e paarritshme. Suksesi i regjisorit Samir Karahoda është një shembull i përsosur, filmi i parë i të cilit “Në Mes” e dërgoi Kosovën në Berlinale, e i dyti “Pa vend” në Festivalin e Filmit të Kanës.

Histori njerëzore universale që prekin thellë e thjeshtë, që shkrihen me përvojat tona personale, të kombinuara me fotografi filmi ku drita, hija e ngjyrat bashkëprojnë për të sjellur emocione e ndjenja, janë vetëm disa prej karakteristikave që t’a vështirësojnë të qëndrosh indiferent para këtyre filmave.

Filmi “Pa vend” është pjesë e garës për çmimin prestigjioz Palme d’Or në festivalin e Kanës. i cili ka filluar prej 3 ditësh dhe do të vazhdojë deri më datën 17 korrik.

Për Demokracia.com regjisori i këtij filmi Samir Karahoda, tregon për inspirimin, procesin e realizimit të filmit, ndjesinë që është duke përjetuar dhe mënyrën se si ky film ndërlidhet në një mënyrë më personale me të.

Demokracia.com: Njiheni si fotograf, pse nuk keni filluar më herët të merreni me kinematografi duke pasur parasysh suksesin e jashtëzakonshëm që e keni arrit me dy filmat e parë?

Samir Karahoda: Angazhimet e shumta në projektet fotografike për jetesë, angazhimi me Dokufest nuk më ka lënë shumë kohë për të u mar më shumë me projekte personale. Viteve të fundit kam menduar dhe vendosur që më e vlefshme se gjithcka tjetër është të bëja dicka që dua dhe ato gjëra të kenë vlera.

Demokracia.com: A ka qenë regjia diçka që e keni dashur gjithmonë apo ka një moment ose diçka që ju ka nxitur dëshirën për të bërë filma?

Samir Karahoda:Ajo që si fëmijë më ka lënë përshtypje ka qenë të bëhem kinematograf pra të xhiroja filma, ëndrra ime ishte të studioja kinematografinë, por meqenëse nuk kisha kushte vendosa të studioja fotografinë në Stamboll pasi që ishte më e lehtë nga ana administrative dhe ajo financiare në krahasim me studimet në Evropë. Me zhvillimin e përvojës në fotografi me kalimin e kohës nisa të punoj edhe si kinematograf, por fatkeqësisht hapësira dhe mundësia nuk m’u ofrua nga kolegët filmbërës duke iu dhënë prioritet kinematografëve të huaj. Kjo ka qenë edhe kthesa sa i përket filmbërjës ku në këtë situatë vendosa që vet të bëjë filma dhe ato t’i xhiroj vet. E mira e gjithë kësaj është që nga kritika të dy filmat më së shumti vlerësohen për fotografinë e filmit dhe stilit unik që përmban forma e realizimit në kombinim me fotografinë të cilën e aplikoj në film.

Demokracia.com: A keni tentuar të bëni ndonjë film tjetër më përpara?

Samir Karahoda: Jo, filmi i parë të cilin e kam punuar “Në Mes” ka qenë i inspiruar prej projektit fotografik që e kam punuar më herët. Meqenëse nuk ka qenë e mundur përmes fotografive me e tregu këtë traditë më gjërësisht atëherë kam provuar që ta tregoj nëpërmjet filmit, pra filmi “Në Mes” ka qenë filmi i parë që kam tentuar dhe e kam punuar si regjisor.

Demokracia.com: Cila është ndjesia që po përjetoni si një regjisor filmit që po e përfaqëson Kosovën në Festivalin e Kanës, në kategorinë kryesore?

Samir Karahoda: Të jem i sinqertë është kënaqësi dhe krenari për ekipin dhe për vendin tim që puna në një far forme të vlerësohet nga një festival sic është Kana kur e dijmë se cfarë konkurrence e madhe është për tu futur në programin zyrtar. Por në anën tjetër është edhe përgjegjësi jo e lehtë dhe ngarkesë psikologjike pasi që prezantimi bëhet para një numri të madh profesionistësh të industrisë së filmit e njëkohësisht edhe para një audience me përvojë kinematografike ku vlerësimi si nga audienca ashtu edhe juria është i nivelit tjetër nga festivalet tjera.

Demokracia.com: Cilat janë vështirësit që jeni përballuar për t’a dërguar filmin në këtë festival?

Samir Karahoda: Nuk mund të them që kam pasur ndonjë vështirësi, synimi im prej fillimit ka qenë që të bëjë një film të mirë dhe të tregoj tregimin në formë sa më unike. Pas prezantimit me filmin e parë në Berlinale qëllimi  ka qenë që filmi i ardhshëm të prezantohet në një nivel të njëjtë apo më të lartë, pra për mua do të ishte e vështirë që me filmin e dytë mos të kisha sukses pasi që suksesi me filmin e dytë do të më hapte shumë dyer sidomos ndërkombëtare për projektet e ardhshme. Kjo që them është dëshmuar me suksesin e filmit të parë ku për herë të parë televizoni më i madh kulturor botëror TV ARTE përkrahu një projekt nga Kosova, pra filmin tonë të dytë  “Pa Vend”.

Demokracia.com: Tregimi i filmit është inspiruar nga një histori reale, a keni ju ndonjë ndërlidhje më personale  me këtë histori?

Samir Karahoda: Kam qenë dëshmitar i një pjese të këtij tregimi dikur në vitet 2004-2007, pra njëri prej personazheve kryesore është një shok i imi i ngushtë. Pas luftës ai ishte kthyer nga Gjermania, në ato vite deri sa ne kalonim kohë së bashku ai shpesh më thoshte: më duhet të shkoj në klub sepse duhet të zhvendosim tavolinën e ping pongut në një vend tjetër. Pra në ato vite ata pothuaj cdo 2-3 muaj detyroheshin të siguronin hapësirë për ushtrime e njëkohësisht të transportonin tavolinat në format më të jashtëzakonshme të mundshme. Historia e tyre në këtë formë zgjati afër 7 vjet deri sa në vitin 2011 për shkak të këtyre rrethanave ata u dorëzuan nga sporti i tyre më i dashur. Pavarësisht të qenurit klubi më i suksesshëm në Kosovë, akoma ky klub në ditët e sotme nuk posedon hapësirë adekuate për ushtrime.

Demokracia.com: A keni pasur mbështetje nga institucionet në Kosovë?

Samir Karahoda: Po, fillimisht projekti është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës më pastaj nga Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Prizrenit. Po ashtu sic e përmenda edhe më lartë filmi është përkrahur nga TV Arte dhe TV Yle (televizoni publik i Finlandës), Mabetex Group dhe Dokufest.

Demokracia.com: Shpesh një arritje kaq e madhe vjen edhe me leksion të paparamenduar, çfarë ju ka mësuar procesi i realizmit dhe suksesi i këtij filmi?

Samir Karahoda: Mendoj që gjëja e parë që e kam mësuar është që në vendin tonë kemi talentë të jashtëzakonshëm në lëmi të ndryshme të filmit. E veçanta e dy filmave të mijë janë se po të dytë janë realizuar me komplet ekip kosovar për të cilët dua t’i falenderoj secilin për kontributin dhe përkushtimin profesional që kanë dhënë me veprat e tyre.

Element tjetër që dua të përmendi sidomos për gjeneratat e ardhshme është se pavarësisht se ku jetojmë, në një vend të vogël apo të varfër, apo cfarëdo qoftë ai vend apo ku gjindet,  puna e mirë dhe përkushtimi në punë gjithmonë një ditë do të shpërblehet./Demokracia.com/

Të ngjashme
Intervista • 28 Mars 2024