Intervista
Intervistë me dietologen e njohur | Si ndikon agjërimi në trupin tonë?
Demokracia
12:52 | 20 Prill 2021

Share:

Muaji i Ramazanit në Kosovë tashmë ka filluar dhe personat që agjërojnë kalojnë plot 14 orë pa ngrënë dhe pa pirë. Por, si ndikon kjo në trupin tonë?

Përveç arsyeve fetare ka shumë persona të cilët e aplikojnë “agjërimin” edhe në ditët kur nuk është Ramazan, për të pastruar organizmin nga papastërtitë dhe toksinat.

Demokracia.com ka realizuar një intervistë me dietologen Vala Pupovci, e cila na tregon gjithçka që duhet të dimë se çfarë ndodhë në trup kur agjërojmë dhe si ndikon agjërimi tek sëmundjet.

Demokracia.com: Si ndikon agjërimi në trupin tonë?

Vala: Gjatë orëve të agjërimit, kur abstenohet komplet nga ushqimi dhe pijet, trupi përdorë depot e karbohidrateve (të deponuara në mëlçi dhe muskuj) dhe yndyrës (të deponuara në ind dhjamor) për të siguruar energji, pasi të jenë përdorur kaloritë që janë konsumuar gjatë natës. Trupi jonë nuk mund të deponojë ujë, prandaj veshkat reduktojnë sasinë e ujit që humbet gjatë urinimit. Megjithatë, eliminimi i një sasie të ujit përmes urinimit, frymëmarrjes apo djersitjes është i paevitueshëm.

Demokracia.com: Cilat janë anët pozitive të agjërimit?

Vala: Anët pozitive të agjërimit qëndrojnë te fakti se, nëse në kohët kur e kemi të lejuar konsumimin e ushqimit jemi të kujdesshëm, mund të ndihmojë në humbje të peshës dhe në uljen e parametrave të yndyrës (kolesterolit dhe triglicerideve) në gjak. Gjithashtu, agjërimi i ndërprerë ndihmon procesin e autofagjisë, proces i cili ka rol në parandalimin e zhvillimit të tumoreve apo kacereve. Përveç kësaj, disa studime tregojnë se agjërimi mund të ketë efekt pozitiv në sistemin imunitar. Një nga përparësitë më të mëdha shëndetësore të agjërimit, megjithatë, është se mund të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të nepseve që kemi ndaj ushqimit dhe rritjen e vetë-kontrollit ndaj ushqimit.

Demokracia.com: Cilat janë anët negative të agjërimit?

Vala: Varësisht prej motit dhe kohëzgjatjes së agjërimit, shumica e personave që agjërojnë gjatë Ramazanit do të ndjejnë një dehidrim të lehtë, i cili mund të shkaktojë dhimbje koke, lodhje apo vështirësi në koncentrim. Megjithatë, studimet tregojnë se ky dehidrim nuk rrezikon shëndetin, duke e pasur parasysh se agjërimi prishet në Iftar, dhe se do të konsumohet mjaftueshëm ujë dhe lëngje tjera gjatë periudhës prej Iftarit në Syfyr. Anë tjetër negative e agjërimit, e cila mund të ndodhë nëse konsumohet sasi e tepërt e ushqimit, është ndjenja e fryrjes dhe vështirësisë në tretje. Megjithatë, anët negative të agjërimit reduktohen ndjeshëm nëse kujdesi ndaj ushqimit është i shtuar.

Demokracia.com: Cila është mënyra më e mirë për t’i marrë të gjitha vlerat ushqyese që i nevojiten trupit gjatë kohës kur agjërojmë?

Vala: Megjithëse agjërimi gjatë muajit të Ramazanit do të thotë abstenimi nga të gjitha ushqimet dhe pijet gjatë ditës, kjo nuk do të thotë se në pjesën prej Iftarit në Syfyr duhet të konsumojmë sasi të tepërta të ushqimit, apo se duhet të konsumojmë ushqime dhe pije me sasi të lartë të yndyrës dhe sheqerit.

Është shumë me rëndësi që agjërimi të prishet me lëngje hidratuese. Kryesisht, do të preferohej të prishet me lëngje të cilat nuk përmbajnë, apo përmbajnë sasi më të ulët të kalorive dhe sheqerit, si uji, limonada apo çaji. Të evitohet konsumimi i lëngjeve me sheqer të shtuar dhe lëngjeve të gazuara, për shkak se kontribuojnë në marrjen e kalorive të tepërta, e cila mund të çojë në shtim të peshës. Është shumë e zakonshme që agjërimi të prishet me 2 apo 3 hurma, dhe jo rastësisht, por për shkak se hurmat sigurojnë sasi të lartë të sheqerit natyral dhe një sasi të konsiderueshme të kaliumit, magnezit dhe fibrave.

Pasi të prishet agjërimi me hurma dhe ujë, preferohet që të fillojmë me një supë, në mënyrë që ta përgatisim sistemin tonë për tretje. Në të njëjtën kohë, supa përmban sasi të shtuar të ujit dhe kripës, gjë që ndihmon në rikthimin e elektroliteve që mund të kemi humbur gjatë agjërimit.

Pas supës, mund të fillohet me shujtën kryesore, e cila duhet të jetë e balancuar sa i përket vlerave ushqyese. Një formë shumë e mirë për të krijuar një pjatë të balancuar është që gjysma e pjatës të mbushet me perime, si sallatë të freskët apo perime të ziera, ¼ e pjatës të mbushet me një burim proteine si mishi, peshku apo fasulet dhe ¼ e pjatës të mbushet me një burim të drithërave integrale si orizi integral, buka e zezë, patatet, kuinoa, dhe shujta të jetë e përgatitur me vaj ulliri cilësor.

Më vonë, do të mund të konsumohen një apo dy fruta, në mënyrë që të marrim sasi më të lartë të ujit, por edhe vlerat e nevojshme ushqyese si vitaminat, mineralet dhe fibrat.

Dhe, është e domosdoshme që shujta e Syfyrit të mos anashkalohet, për shkak se kjo është shujta e cila do të na sigurojë lëndët ushqyese, para se të fillojmë agjërimin prej rreth 16 orësh. Në të njëjtën formë si Iftari, edhe për Syfyr mund të përdorim rregullin e pjatës së balancuar. Disa nga ushqimet më të përshtatshme për Syfyr janë vezët, qumështi, kosi, gjiza, tërshëra, buka e zezë dhe frutat. Është mirë të evitohen ushqimet me sasi të lartë të kripës si djathi, mishrat e procesuara apo ushqimet e konservuara, për shkak se mund të stimulojnë etjen gjatë agjërimit.

Demokracia.com: A mund të konsiderojmë si mundësi “agjërimin” edhe kur nuk është ramazan, si lloj detoxi dhe si mund të zbatohet kjo?

Vala: Në fakt, shumë njerëz e praktikojnë agjërimin e ndërprerë edhe gjatë muajve tjerë, mirëpo e adaptojnë orën e agjërimit sipas nevojave, si dhe nuk abstenojnë nga pijet pa kalori si uji, kafja apo çaji pa sheqer. Mënyra se si mund të zbatohet është duke konsumuar ushqim nga ora 12:00 deri në orën 20:00, dhe të ndërpritet konsumimi i ushqimit nga ora 20:00. Edhe në këtë formë, mund të përfitohet nga përparësitë shëndetësore që jep agjërimi. Pushimi nga ushqimi për një kohë rrit aftësitë përshtatëse të organizmit dhe ndihmon në rigjenerimin e qelizave, prandaj do e konsideroja agjërimin një mundësi të pastrimit. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme