Intervista
Intervistë | GlamByLoni grimeri nga Kosova që po bën bujë në Gjermani
Demokracia
15:50 | 15 Qershor 2021

Share:

Shqiptarëve të cilët po arrijnë sukses jashtë vendit falë punës së tyre, i është shtuar edhe një emër. GlamByLoni, një grimer dhe stilist i flokëve me prejardhje nga Kosova, i cili ushtron profesionin e tij në Gjermani, nuk do të ndalet së punuari pavarësisht pengesave me të cilat ndeshet gjatë rrugëtimit të tij.

Në një intervistë për Demokracia.com, grimeri i cili jeton dhe vepron në Gjermani, Flakron Zhitija i njohur si GlamByLoni ka treguar se si është të jesh grimer e të punosh me fytyrat më të njohura të showbizit.

Tash e tri vite ai ushtron profesionin e grimerit, por jo vetëm. Ai gjithashtu është edhe stilist i flokëve.

“Në vitin 2016 kam filluar të marr mësime për frizer në Gjermani, të cilat kanë zgjatur tri vite. Për shkak të punës si frizer kam pasur kontakt me kliente të cilat kanë kërkuar edhe grimin, dhe kjo është arsyeja pse në vitin 2018 kam filluar të ushtroj edhe profesionin e grimerit”, thotë GlamByLoni për Demokracia.com.

Duke pasur parasysh se ky profesion në të kaluarën është ushturar më shumë nga gratë, GlamByLoni tregon se është paragjykuar shumë, por këto paragjykime nuk e kanë penguar atë për të vazhduar tutje dhe për të realizuar ëndrrat.

“Për mua nuk është aspak e vështirë me qenë grimer mashkull sepse kam shumë vetëbesim për punën që bëj dhe kam përkrahjen e familjes, shoqërisë dhe të gjithë atyre që e kanë parë punën time. Kam pasur disa komente negative në Instagram, por nuk më bëjnë përshtypje. E rëndësishme është se unë nuk do të ndalem”, shton tutje grimeri.

Grimeri Flakron Zhitija, gjen inspirim për realizimin e grimeve në gjithçka që atë e rrethon, e tutje tregon edhe se cilët janë grimerët që e kanë inkurajuar atë për të punuar çdo ditë e më shumë.

“Zakonisht më inspiron bota, njerëzit dhe jeta është inspirimi im më i madh. Por, nëse më duhet të përmend disa emra atëherë do të theksoja grimerët nga Kosova, Arbër Bytyqi dhe Dafina Neziri me të cilët po ashtu kam shoqëri. Ndërsa grimerët ndërkombëtar janë MakeupbyAriel dhe MakeupbyMario, ku nga ky i fundit kam mësuar shumë teknika të grimit gjatë një masterclass-i të organizuar nga Mario. Një ndër përkrahëset më të mëdha ka qenë grimerja Dafina Neziri, nga e cila kam mësuar shumë dhe tani kemi edhe bashkëpunime si në Gjermani ashtu edhe në Kosovë”, thotë GlamByLoni.

Ai ka bashkëpunuar me shumë këngëtare, modele dhe blogere për të cilat ka mendime pozitve dhe puna me to për të ka qenë shumë e lehtë.

“Kam punuar me shumë fytyra të publike si nga estrada e Gjermanisë ashtu edhe nga ajo e Kosovës. Disa nga artistet shqiptare me të cilat kam punuar janë Fifi, Ronela Hajati, Ilira Music dhe së fundmi Loredana. Gjithashtu kam punuar edhe me shumë modele, blogere, artiste nga estrada e Gjermanisë si dhe me reperë të ndryshëm gjermanë dhe me të gjitha kanë qenë bashkëpunime të lehta. Të famshmit nuk janë aspak ashtu si i mendojmë ne, përkundrazi janë shumë persona të thjeshtë dhe të respektojnë”, shprehet GlamByLoni.

Duke biseduar tutje, Flakroni tregon se nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të kthehet në Kosovë për të ushtruar profesionin e tij, pasi është shumë i lidhur me vendin prej nga e ka prejardhjen.

“Për mua nuk është e pamundur të kthehem në Kosovë, pasi e dua vendin tim, kam familjen shoqërinë dhe gjithmonë kënaqem kur jam në Kosovë, por tani për tani nuk është në planet e mija pasi jam I kënaqur këtu ku jam dhe po kam sukses, duke shpresuar që vitet e ardhshme do të jenë edhe më të suksesshme”, thotë GlamByLoni për Demokracia.com.

Edhe pse nuk ka dëshirë që të zbulojë shumë, GlamByLoni tregon se planet e tij për të ardhmen janë të mëdha, dhe nuk do të ndalet së punuari për të arritur qëllimet. /Demokracia.com/

Të ngjashme