Struktura arkeologjike kanë dalë në pah gjatë një shpimi për shtrirjen e kabllove elektrike në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet. Punimet janë bërë pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore megjithëse zona është e mbrojtur. Por leje ka dhënë Komuna e Prishtinës. Ky aktivitet është ndaluar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës është duke përgatitur një raport për këtë rast. Por me gjithë shqiptimin e masës së ndalimit të punimeve nga i njëjti Inspektorat, Komuna e Prishtinës nuk e ka respektuar këtë vendim për rrugën “Qamil Hoxha”. Inspektorati për këtë i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë
Shpimi nën trasenë e rrugës “Agim Ramadani” ka rezultuar në nxjerrjen në pah të strukturave arkitekturore arkeologjike. Punimet e realizuara për shtrirjen e një kablloje të energjisë elektrike janë bërë pa lejet e nevojshme nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Përderisa është punuar edhe ditën e diel, të hënën ky intervenim është ndaluar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Bëhet fjalë për hapësirë që gëzon mbrojtje të dyfishtë pasi hyn brenda Qendrës Historike të Prishtinës e po ashtu është në afërsi të monumentit, Xhamia e Çarshisë që njihet edhe si Xhamia e Gurit. Qendra Historike e Prishtinës prej vitit 2020 është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, përderisa Xhamia e Çarshisë prej vitit 2023 është nën mbrojtje të përhershme. Punimet e realizuara nga një kontraktor i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) janë bërë me leje të Komunës së Prishtinës. Instituti Arkeologjik i Kosovës është duke përgatitur një raport për këtë rast. E Komuna e Prishtinës nuk i ka ndaluar punimet te rruga “Qamil Hoxha”, pavarësisht masës së shqiptuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, raporton Koha.net
Ora 10:40 e së hënës i ka gjetur inspektorët e trashëgimisë kulturore në terren. Janë njoftuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës “për gjetjen e strukturave arkitekturore, arkeologjike në afërsi të Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë”.
“Në afërsi të Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë kanë filluar punimet – shpime nëntokësore për t’i vendosur kabllot e rrymës në mënyrë që t’i bartin në anën tjetër të rrugës (në mënyrë që të mos dëmtohet asfalti). Për këto punime pala nuk ka aprovim të institucioneve të trashëgimisë”, shkruhet në procesverbal. Aty bëhet e ditur se nga zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë gjatë ditës së hënë janë vërejtur struktura arkitekturore, gjetje arkeologjike dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës nëpërmjet postës elektronike ka propozuar të merren masa. Sipas këtij dokumenti, pala ka deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni se duhet marrë leje në institucionet e trashëgimisë kulturore.
“Ndalohen punimet. Punëkryesi obligohet t’i largojë makineritë me kujdes në mënyrë që të mos dëmtohen strukturat e gjetura. Punimet nuk mund të zhvillohen deri në vlerësim të Institutit Arkeologjik të Kosovës”, shkruhet të masa e shqiptuar. Pala ka refuzuar të nënshkruajë Procesverbalin.
Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, për ndërhyrje të tilla duhet marrë leje me shkrim nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse Institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, shkruhet në pikën e 9-të të nenit 6 të këtij Ligji. Dispozitat ligjore sqarojnë edhe detyrimet që kanë palët të cilat gjatë punës hasin në struktura arkeologjike.
“Gjatë punëve ndërtuese, nëse bëhet ndonjë zbulim arkeologjik zbuluesi ose investitori duhet të informojë Institucionin kompetent menjëherë, por jo më vonë se sa në ditën pasuese nga koha e zbulimit. Institucioni kompetent ka tё drejtë që menjëherë të ndalë punët ndërtimore të filluara dhe tё ndërmarrë një studim vlerësues dhe shpëtues arkeologjik në vend për një kohë të kufizuar që duhet të përcaktohet nga një akt nënligjor të bazuar në këtë ligj. Punët krijuese (ndërtuese) mund të rifillojnë vetëm pas lejes me shkrim nga Institucioni kompetent”, shkruhet në pikën e 6-të të nenit 7 të këtij Ligji. Pala në këtë rast nuk ka vepruar kësisoj. Instituti Arkeologjik i Kosovës është duke hartuar një raport në lidhje me këtë rast. Zyrtarët e këtij institucioni kanë bërë të ditur se situatën mund ta sqarojnë sot (e martë).
Në dhjetor të vitit 2023, Drejtoria e Investimeve kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave e Komunës së Prishtinës i ka dhënë leje KEDS-it për implementimin e disa projekteve në kryeqytet. Midis tyre edhe shpimi te rruga “Agim Ramadani”. Në vendimin e Komunës ceken edhe kushtet që duhet t’u përmbahet KEDS-i, por askund nuk shkruhet se duhet edhe leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Komuna e Prishtinës për intervenim në të njëjtën rrugë, saktësisht për projektin “Nënkalimi në rrugën ‘Agim Ramadani’” kishte kërkuar leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Komuna e Prishtinës nuk i njeh kufijtë e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Pavarësisht se të mërkurën e javës së kaluar i janë ndalur punimet në rrugën “Qamil Hoxha”, pasi e njëjta është në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e po ashtu ka afër monumentin “Shtëpi banimi – Ismail Sahatçiu”, institucioni lokal i ka vazhduar punimet.
Që të dyja këto asete janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në krye të mosrespektimit të masës së ndalimit të punimeve është drejtori i Drejtorisë së Investimeve Kapitale, Sokol Havolli. Ai ka refuzuar ta pranojë procesverbalin e ndaljes së punimeve. Dy herë radhazi nuk i është përgjigjur KOHË-s në lidhje me këtë çështje. Të mërkurën e javës së kaluar Komuna po ashtu ka dorëzuar projektin në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore për të kërkuar leje.
Punimet në këtë rrugë, që lidh bulevardin qendror të kryeqytetit dhe rrugën “Agim Ramadani”, kanë nisur pa leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ligji për trashëgimi kulturore e obligon secilën palë që të pajiset me leje për intervenime në zona të tilla. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pas ndalimit të punimeve dhe mosbindjes së Komunës, këtë rast e ka paraqitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Kontrata për implementimin e punimeve, ku përfshihet edhe rruga “Rexhep Luci”, peshon mbi 1.3 milion euro. Komuna i ka nisur punimet pa leje këtë javë dhe po i vazhdon, pavarësisht ndalesës dhe kërkesës që ka bërë për leje të enjten.
“Është bërë gërryerja e asfaltit dhe po planifikohet ndërrimi i gypave të ujësjellësit, si dhe largimi i tarracave ekzistuese të lokaleve. Për këto punime nuk është parashtruar kërkesë për pëlqim në institucionet e trashëgimisë kulturore”, shkruhet në procesverbalin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.
Për projektet e mëhershme të Komunës, ku po ashtu janë ndalur punimet, zyrtarët komunalë kanë kontestuar kufijtë e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike.
Tri tentime të Komunës së Prishtinës për të zhvilluar punimet pa leje në sheshin “Xhorxh Bush”, që për Ministrinë e Kulturës është zonë nën mbrojtje e Qendrës Historike të Prishtinës, tashmë janë bërë lëndë e mjaftueshme për Policinë e Kosovës që ta hetojë këtë rast. Zyrtarët e institucioneve të trashëgimisë kulturore kanë dhënë sqarime në Policinë e Kosovës sa u përket masave të ndalimit që ka shqiptuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duke ndalur punimet e Komunës së Prishtinës. Zyrtarë të Inspektoratit dhe të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore janë intervistuar për këtë rast. Siç ka marrë vesh KOHA, bëhet fjalë për kallëzimin që Inspektorati ia ka bërë Komunës pasi ka ndalur punimet herën e dytë, në prill. Komunës në këtë projekt i janë ndalur punimet tri herë. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 15 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill.
Herën e fundit edhe me ndërhyrje të Policisë së Kosovës, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pengohej nga vetë kryetari i Komunës, Përparim Rama, dhe një pjesë e kabinetit të tij. Për këtë projekt Komuna ka nënshkruar kontratë 18.4 milionë euroshe. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë Komuna ka kërkuar leje, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka lëshuar rekomandime duke kërkuar plotësim të dosjes. Po ashtu është konstatuar se cenon monumentet. Më pas edhe Komuna ka kërkuar sqarime shtesë nga IKMM-ja. Vjet në vjeshtë Komunës i janë ndalur punimet edhe për projektin e “Ishullit Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, me arsyetimin se një pjesë e projektit hyn në zonën e mbrojtur të QHP-së e po ashtu prek edhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit, që është monument. Komuna ka kërkuar leje, por i është refuzuar. Kontrata për implementimin e këtij projekti peshon 6.5 milionë euro. Tash punimet vazhdojnë shkarazi matanë hekurudhës./Koha.net