Lajme
“Interpretim live”, zyra e Vjosa Osmanit jep 26 mijë euro për zërim 
Demokracia
21:00 | 01 Korrik 2024

Share:

Presidenca e Kosovës ka dhënë një tender në vlerë 26 mijë euro për shërbime të zërimit. Presidenca ka treguar se kompania fituese duhet të ofrojë zërim kudo në Kosovë. 

Kudo që presidentja Vjosa Osmani do të thotë ndonjë fjalë apo të mbajë ndonjë fjalim, sepse qëndrime nuk është që ka shpesh, zëri i saj do të dëgjohet mirë.

Për këtë janë dhënë hiç më pak se 26 mijë euro nga buxheti i shtetit përmes një tenderi publik, shkruan Demokracia.com.

“Shërbime të zërimit, për nevojat e ZPRK-ës. Data e dhënies së kontratës 26.06.2024. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 01.07.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 3. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata: Translation Centre. Vlera e përgjithshme e kontratës 26,314.00 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur në KRPP.

Presidenca ka treguar se kompania duhet të jetë në dispozicion të tyre 24 orë në ditë në 7 ditët e javës.

“Kompania duhet jetë e gatshme të ofrojë zërim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, gjatë vikendeve, gjatë festave, varësisht nga kërkesat e Zyrës së Presidentit. Kompania duhet të jetë e gatshme të ofrojë brenda një periudhe të shkurtër kohore, (brenda 1 ore zërimin nga momenti i sqarimit të kërkesës përmes telefonit), në rastet kur konferencat janë të jashtëzakonshme dhe të paparashikuara më herët. (Gjithnjë kjo vlen vetëm për Prishtinë). Kompania duhet të jetë e gatshme të ofrojë zërim kudo në Kosovë. Kompania duhet të jetë e gatshme të ofrojë zërim në hapësira të mbyllura dhe të hapura”.

Kompania, po ashtu, duhet të ketë kapacitet teknik-operativ që të ofrojë pajisje digjitale për zërim dhe përkthim simultan, si:

–      Audio-Distributor (shpërndarës për media);

–      Minimum 10 mikrofona ajror digjital për pyetje nga publiku;

–      Minimum 500 copë kufje dhe pranues digjital;

–      Së paku 4 sisteme të zërimit dhe përkthimit simultan,

–      Së paku 1 sistem të zërimit dhe përkthimit simultan të kapacitetit deri në 500 persona (Varësisht nga nevojat)

–      Mikrofona konferencial, digjital, minimum 50 copë

–      Zmadhues të zërit

–      Mikseta

–      Operatori Ekonomik duhet të ketë minimum katër audio/video teknik me kontrata të përhershme të certifikuar për ofrimin e shërbimeve dhe të jenë të trajnuar për lëminë specifike, si dhe të kenë përvojë në këtë fushë të punësuar, dëshmi (kontratat) e të punësuarve.

Presidenca ka parapara që zërmi të përdorët edhe për muzikë live.

“Zërim profesional për interpretim live të grupeve artistike deri në 20 pjesëtarë të orkestrës; (Kompania obligohet t’i sigurojë pajisjet e nevojshme varësisht nga kërkesat e grupeve artistike) x 5 angazhime. Përdorimi i gjeneratorit në rastet kur nuk ka energji elektrike në vendet e caktuara x 10 angazhime. Dy teknikë duhet të jenë gjithnjë të angazhuar, ndërkaq angazhimi i teknikut shtesë x 15 angazhime”. /Demokracia.com/

Të ngjashme