Sport
Interesimi i madh për ndeshjet e Kosovës, Ademi vjen me një premtim të madh për “Dardanët”
Demokracia
21:46 | 07 Qershor 2022

Share:

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka falënderuar tifozët dhe qytetarët për mbështetjen që po i japin Kombëtares kosovare.

I pari i shtëpisë së futbollit të Kosovës përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook u është drejtuar tifozëve “dardanë” duke i falënderuar për ndeshjen me Greqinë të luajtur ditë më parë dhe interesimin e lart për takimin e radhës me Irlandën e Veriut.

Shiten të gjitha biletat për ndeshjen Kosovë – Irlandë e Veriut, përveç sektorit VIP

Ademi ndër tjerash, ka bërë të ditur se është duke punuar së bashku me Komunën e Prishtinës që së shpejti ta fillojnë projektin e zgjerimit të tribunës lindore, e cila do të mundësojë që kapaciteti i stadiumit “Fadil Vokrri” të jetë më i madh për tifozët.

Postimi i plotë:

FALËNDERIM

Të dashur qytetarë, të dashur tifozë dardanë,

Shfrytëzoj rastin që të ju falënderoj të gjithëve për interesimin e jashtëzakonshëm për t’i qëndruar përkrahë Kombëtares së Kosovës.

Përkundër se në ndeshjen e kaluar u dëshpëruam me humbjen nga Greqia, ju dëshmuat se dini të vlerësoni djersën e djemve tanë, dëshirën dhe përkushtimin e tyre për të dhënë më të mirën në fanellën e shenjtë të Kosovës.

Futbolli është përplot emocion dhe i ka të tri rezultatet. Nganjëherë nuk e arrin dot objektivin gjatë 90 minutave lojë, por dëshira, vullneti dhe emocioni që na dhuron Kombëtarja jonë janë të jashtëzakonshme dhe ju dini t’i çmoni e vlerësoni ato.

Mbështetja madhështore që i ofruat Dardanëve në ndeshjen me Greqinë, por edhe tani për ndeshjen e radhës kundër Irlandës së Veriut, ku sërish stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të jetë përplot dhe do të jehojë me ‘Besa-Besë’, meriton mirënjohje dhe respekt.

Të gjitha biletat e kësaj ndeshje tashmë janë shitur, me përjashtim të një sasie të vogël për zonën VIP, e të cilat të interesuarit ende mund t’i sigurojnë përmes platformës online.

Në këtë formë ju e vërtetuat se Kombëtarja e Kosovës është dashuri e përjetshme dhe vlerë shtetërore, të cilën duhet ta ruajmë e respektojmë në fitore, barazime e humbje.

Ne jemi të vetëdijshëm se kapaciteti aktual i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ nuk i përmbush kërkesat për numrin e madh të të interesuarve, prandaj ndjejmë keqardhje që shumë qytetarë janë të shtrënguar që ndeshjen ta ndjekin nëpërmjet ekraneve televizive.

Mirëpo, po punojmë së bashku me Komunën e Prishtinës, që së shpejti ta fillojmë projektin e zgjerimit të tribunës lindore, e cila do të na mundësojë që të kemi numër më të madh të tifozëve në stadium.

Faleminderit për mbështetjen e madhe!?

Ju ftoj që bashku t’i përkrahim djemtë tanë fuqishëm për t’u rikthyer te fitorja!

Forca Kosovë! ? ⚽️??

Përpara Dardanë!

A.A./Demokracia.com/

Të ngjashme