Intervista
Interesim i madh për nënshkrimin e peticionit për Trustin, deri tani u dhanë 7 mijë nënshkrime
Demokracia
08:08 | 30 Qershor 2022

Share:

Më shumë se 7 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të Trustit Pensional.

Nga e hëna, grupi i qytetarëve “Pro tërheqjes 30 për qind të Trustit”, janë angazhuar në qytete të ndryshme, për të mundësuar mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve për të iniciuar sërish Projektligjin për Trustin.

Njëri nga organizatorët, Afrim Berisha, tha se mjetet duhet të tërhiqen pasi kjo do të ishte një ndihmesë e madhe për ta.

Ai tha se interesimi i qytetarëve për të nënshkruar është i madh, dhe se për mbledhjen e këtyre nënshkrimeve janë në disa komuna të Kosovës, teksa shtoi se janë të bindur se ky numër do të tejkalohet.

“Nënshkrimi i peticionit për trustin është shumë në rregull duke shkuar, janë njerëzit shumë të interesuar. Jemi duke punuar qe tri ditë prej orës 11:00 deri në pra 22:00 në mbrëmje. Janë nëpër pika të Kosovës, Lipjan, Prizren, Fushë-Kosovë, dhe sipas informatave afro 7000-8000 janë që kanë nënshkruar. Po presim deri të premten, dhe të shikojmë interesimin e qytetarëve”, tha ai.“Nuk hezitojnë vijnë, kanë shumë shpresë që do t’i marrin dhe kemi shpresa që më shumë se 10.000 nënshkrime do të bëhen deri të premten”, tha ai për EO.

Qytetari Nazmi Koprani është pro tërheqjes së 30 për qind të Trustit, teksa kritikoi kryeministrin Kurti që nuk po e lejon një tërheqje të tillë.

“Duhet me na leju paqare. Unë punoj në Kompaninë “Pastrimi”, 300 euro e kam rrogën, çka me bë me të. Një shtëpi të ulët e kam, 8 anëtar jemi, tjerët i kam pa punë. Duhet me u tërheq paqare, duhet. Veç vdekja na ardh, ajo duhet me u leju por veç Albin Kurti nuk po e lejon”, tha ai.Pas nënshkrimit të peticionit, Ali Kadriu, tha se me një rrogë prej 280 euro, nuk po mund t’ia dalë, andaj kërkon tërheqjen e mjeteve nga Trusti.“Po ka nevojë, unë për veten time kam nevojë. Me 280 euro nuk mundem të ja dal sot. E kam llogarit për çdo ditë ka një byrek me jogurt nuk më del për familjen time. Gjithsesi, po shihet çfarë çmimesh çfarë senesh e rrogat askund”, tha ai.Por në mesin e tyre pati edhe të atillë që janë kundër një tërheqje të tillë, ndonëse e nënshkruajti këtë peticion.

“Tërheqja e Trustit për mendim tim nuk është mirë. Duhet me mendu edhe për të ardhmen këta kush ka pensione në perëndim e paguajnë për pleqëri”.

“Me ju ndihmu atyre që po vuajnë sot po unë po them edhe ashtu që nuk është mire me i tërheq se ndoshta më vonë iu vyen më shumë se tash”, tha Emrullah Ahmeti, kur u pyet se përse nënshkruajti pasi është kundër Trustit

Të ngjashme