Lajme
Instituti serb që u dekorua nga Vuçiqi fiton tender në “Trepçë”
Demokracia
17:07 | 02 Korrik 2024

Share:

Gjiganti ekonomik, ndërmarrja “Trepça” ishte simbol i Kosovës në ish-Jugosllavi. Miniera funksionon në disa lokacione të ndryshme që ndonjëherë ndajnë njëra-tjetrën me shumë kilometra. “Trepça” e grevës së minatorëve në fillim të konfliktit të Kosovës u nda në dy kompani pas luftës. Në jug shqiptarët, në veri serbët. Kosova miratoi kthimin e një kompanie, por serbët vazhdojnë të kenë kontrollin, anipse ajo pjesë është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, shkruan Demokracia.com.

Edhe pse funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe është nën administrimin e AKP-së, pjesa e Trepçës që menaxhohet nga serbët e Kosovës po vazhdon të kontraktojë kompani në Serbia për të kryer punë në ndërmarrje.

Procedurat po kryhen bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik të Kosovës.

Në vitin e kaluar, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e festës së shtetësisë së Serbisë, i ka dorëzuar Institutit për Minierë dhe Metalurgji një urdhër vlerësimi.

 

Ky institut që është i pavarur, por që kryen punë kryesisht për institucionet publike në Serbi, së fundmi ka fituar një kontratë edhe në “Trepça -Ndërmarrje në Administrim të AKP”.

Bëhet fjalë për një tender në vlerë prej 15 mijë eurove “Marrëveshja për monitorimin teknik të pellgut të mbetjeve me flotacion për asgjësimin e mbetjeve pas flotimit të mineraleve të plumbit dhe zinkut nga RIF Kopaonik në Leposaviq”.

Decidivisht, emri i institutit është “Institut za rudarstvo i metalurgiju Bor”.

Në kuadër të veprimtarisë së tij, Instituti kryen detyrat e krijimit të projekteve shkencore dhe kërkimore në fushën e gjeologjisë, minierave, metalurgjisë dhe teknologjisë; programe dhe projekte të veçanta me karakter ndërdisiplinor që sigurojnë zhvillimin teknologjik dhe zhvillimin e infrastrukturës shkencore dhe kërkimore në interes të Republikës së Serbisë, të rajonit dhe të vetëqeverisjes lokale”, thuhet në përshkrimin e detyrave të këtij instituti.

Nga ana tjetër, para pak ditëve, Trepça ka lidhur një tjetër kontratë me një operator nga Serbia. “Gërmimi i dhomave të gropave horizontale dhe vertikale në minierën e Belobërdës”, quhet tenderi i vlerës 468,022.00 euro që është lidhur me kompaninë “RGP BERGMAN” nga Despotovaci i Serbisë.

Kjo ndërmarrje ka lidhur edhe kontrata tjera me kompani nga Serbia, por më të shumta janë kontratat që lidhen me biznesmenë serbë nga Kosova që jetojnë në pjesën veriore.

Nga ana tjetër, nuk është raportuar ndonjëherë që kompanitë nga Kosova të kenë fituar tenderë në Serbi. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme