Lajme
INPO: Tenderi 56 milionësh për stadiume: 125 ditë pa vendim, pa transparencë, pa përgjegjësi!
Demokracia
15:58 | 12 Maj 2025

Share:

INPO ka identifikuar shkelje serioze në aktivitetin e prokurimit të MKRS-së për ndërtimin dhe rindërtimin e stadiumeve në Ferizaj, Pejë, Prizren dhe Vushtrri. Edhe pse afati për dorëzim të ofertave përfundoi më 8 janar 2025, MKRS nuk ka publikuar as procesverbalin e hapjes së ofertave, duke cenuar transparencën dhe të drejtën për informim, raporton Demokracia.com.

INPO, në vazhdën e monitorimit të rregullt të proceseve të prokurimit publik, ka identifikuar shkelje serioze procedurale në aktivitetin e prokurimit “Punë ndërtimore për zbatimin e projekteve të hollësishme [zbatuese kryesore] për ndërtimin dhe rindërtimin e stadiumeve në Ferizaj, Pejë, Prizren dhe Vushtrri”, të shpallur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) më 21.11.2024, me një vlerë të parashikuar prej 56,000,000.00  euro.

“Afati për dorëzimin e ofertave për këtë tender ka përfunduar më 8 janar 2025, ndërkaq MKRS ende nuk e ka publikuar procesverbalin e hapjes së ofertave, kësisoj duke e kufizuar qasjen në informata rreth operatorëve ekonomikë ofertues për këtë tender dhe ofertave të tyre financiare. Sipas legjislacionit në fuqi, hapja e tenderëve duhet të bëhet menjëherë pas skadimit të afatit të fundit për dorëzimin/pranimin e tenderëve. Ky dokument krijohet në sistemin elektronik të prokurimit, shkarkohet, verifikohet për saktësi dhe publikohet menjëherë në sistemin e prokurimit si “dokument shtesë”, si dhe i dërgohet të gjithë operatorëve ekonomikë pjesëmarrës. Deri më sot nuk ekziston asnjë njoftim publik që konfirmon nëse është berë hapja e ofertave. Për këtë, INPO ka parashtruar kërkesë për qasje në procesverbalin përkatës dhe në informata lidhur me ecurinë e procesit të vlerësimit, por MKRS ka refuzuar të përgjigjet në kërkesën për qasje në dokumente dhe informacione publike”.

INPO ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, për kufizim në qasje të dokumentacionit publik dhe informacioneve të kërkuara, sipas ligjit në fuqi.

Tutje, INPO shpreh shqetësim lidhur me vonesat e pajustifikuara në procesin e vlerësimit të ofertave për këtë tender. Përveç mungesës së transparencës dhe mospublikimit të dokumentacionit të detyrueshëm, MKRS ka tejkaluar edhe afatet ligjore për vlerësimin e ofertave. Sipas nenit 40 të Rregullores për Prokurimin Publik, autoriteti kontraktues është i obliguar ta përfundojë vlerësimin brenda 30 ditësh nga data e hapjes së ofertave, me mundësi zgjatjeje për 20 ditë shtesë në rrethana të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara. Nga afati i fundit për dorëzimin e ofertave e deri më sot kanë kaluar 125 ditë dhe Njoftimi mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues akoma nuk është publikuar dhe as raporti për ekzaminimin vlerësimin, dhe krahasimin tenderëve.

Sipas INPO, këto vonesa, përveçse bien ndesh me afatet ligjore të përcaktuara në Ligjin për Prokurimin Publik, krijojnë dyshime serioze mbi integritetin dhe transparencën e të gjithë procesit të prokurimit dhe mund të perceptohen si tregues të (i) ndikimeve të jashtme apo presioneve të paligjshme, që synojnë orientimin e vendimit për fituesin, (ii) favorizimit të një apo më shumë operatorëve ekonomikë, duke u dhënë atyre mundësi për të ndryshuar apo plotësuar ofertat në mënyrë jo të barabartë, (iii) manipulimit të rezultateve të vlerësimit, për të arritur një rezultat të parapërcaktuar. Gjithashtu këto vonesa dëmtojnë interesin financiar të operatorëve ekonomikë ofertues, duke krijuar pasiguri dhe bllokim të mundësive të tyre afariste.

Në këtë drejtim INPO kërkon nga MKRS që:

  1. Të publikojë menjëherë procesverbalin e hapjes së ofertave;
  2. Të njoftojë mbi statusin aktual të procesit të vlerësimit;
  3. Të japë shpjegim të detajuar mbi vonesat dhe masat që janë ndërmarrë për rikthimin e besimit në proces;
  4. Të respektojë obligimet ligjore për informim dhe transparencë ndaj publikut dhe operatorëve ekonomikë.

Po ashtu, ftojmë Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik që të monitorojë këtë tendër dhe të ndërrmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas kompetencës se tyre ligjore në kërkim të llogaridhenies dhe zbatim të ligjit për Prokurimin Publik. /Demokracia,com/

Të ngjashme