Lajme
Injoroi paralajmërimet e miqve, vritet në Budva mafiozi malazez
Demokracia
13:28 | 18 Qershor 2022

Share:

Milic Minja Shakoviç, pjesëtar i një klani të rrezikshëm mafioz në Mal të Zi u ekzekutua  mëngjesin e sotëm me 5 plumba nga një person ende i paidentifikuar. Policia ka gjetur një çantë me armën e krimit, ndërsa mësohet se autori ka qenë i veshur me një këmishë të bardhë dhe është filmuar nga kamerat e një restoranti aty pranë. Sipas mediave fqinje, Shakoviç kishte darkuar  me disa miq në lokalin Korkovado. Të njëjtët miq deklaruan para policisë se kishin parë një burrë të dyshimtë që ka kaluar pranë tyre drejt Qytetit të Vjetër. Madje njëri prej tyre e paralajmëroi Shakoviçin, por ai nuk i kushtoi rëndësi kësaj dhe vazhdoi me darkën.

Menjëherë pas kësaj, një burrë i dyshimtë u shfaq dhe u afrua pranë vendit ku anëtari i klanit mafioz po darkonte. Ndonëse njëri nga miqtë e paralajmëroi sërish, Shakoviç nuk reagoi. Pastaj burri filloi të lëvizte me shpejtësi dhe iu afrua tavolinës, nxori një armë dhe e qëlloi anëtarin e klanit mafioz pas shpine në një distancë prej gjysmë metri.
Fillimisht ai qëlloi tre herë në kokën e Shakoviqit, i cili ra në trotuar dhe më pas e qëlloi edhe dy herë të vdekurin. Gjithsej janë qëlluar tetë plumba. Pas krimit, autori vrapoi në drejtim të një hoteli e më pas përgjatë një shtegu të ngushtë drejt vendbanimit Gospoština. Edhe pse ekzekutori është ende në arrati, inspektorët kanë gjetur gjurmë gishtash në vendet ku ai ka kaluar. Gjithashtu u gjet një këmishë dhe një maskë.

Shakoviç ishte pjesëtar i klanit “Skaliari”, të cilët janë rivalë të përjetshëm të klanit tjetër mafioz, atij “Kavaç”. Lufta mes tyre ka sjellë dhjetëra të vdekur deri më tani duke vrarë njeri-tjetrin jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në Evropë, përfshi Austrinë dhe Greqinë. Shakoviç i ekzekutuar mbrëmë në Budva ishte shumë i kujdesshëm. Ai dilte rrallë nga shtëpia, duke përdorur vetëm një makinë të blinduar dhe duke lëvizur vetëm i shoqëruar nga roje sigurie, por duket se natën që u vra kishte neglizhuar pak duke i dhënë shansin e artë kundërshtarëve që ta vrisnin.

Mediat lokale raportojnë se Milic Minja Sakoviç ka qenë shpesh në shënjestër të klanit rival gjatë viteve të fundit duke i mbijetuar atentateve vazhdimisht. Por kësaj radhe vrasësit i kishin marrë masat mirë duke e ekzekutuar 20 minuta para mesnate, pranë shtëpisë së tij në Budva. Shakoviç mbijetoi më 8 shtator 2017, pasi vrasësit e qëlluan me automatik me pesë plumba në kafenenë “Auto Zeta” në qendër të Podgoricës, derisa kishte futur makinën në një lavazh aty pranë.
Në atë sulm, për shkak të numrit të madh të plumbave të automatikut të lëshuara drejt tij, u vra djali i pronarit të lavazhit, Ivan Nedoviç. Ai nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen, por rastisi në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Shakoviç mbijetoi atë ditë edhe falë ndërhyrjes së vëllait të tij, i cili më të parë vrasësin u hidh sipër të vëllait duke e shtrirë në tokë me qëllim që t’i shpëtonte plumbave.

Pak vite më pas, pikërisht në mars 2021, policia arrestoi një grup personash të akuzuar për organizimin e një tjetër atentati ndaj tij.  Bëhet fjalë për një grup prej pesë personash, të dyshuar se po organizonin një atentat ndaj tij, kësaj radhe me snajper nga një shtëpi pranë zonës që frekuentohej prej Shakoviçit. Shakoviç ka qenë i përfshirë në botën e krimit që në vegjëli. Ai rezulton të ketë kryer një vrasje që në kohën kur nuk kishte mbushur ende 18 vjeç. Bëhet fjalë për gushtin 2005 kur ai vrau 26-vjeçarin Miro Baosiç. Ai bashkë me të vëllain u fshehën në shkurre duke pritur të kalonte Baosiç. Pas e qëlluan disa herë, ata u larguan, ndërkohë që ai vdiq në spital.

Policia e kapi Shakoviçin atëherë dhe e dënoi me dhjetë vite burg, por për shkak të moshës së re, Gjykata e Apelit e ndryshoi vendimin duke e dënuar me riedukim. Vëllai i tij u dënua me 12 vite burg, por më pas edhe atij iu reduktua. Ata e vranë 26-vjeçarin pas disa konfliktesh të vazhdueshme me të.

Vëllai i Shakoviçit, Millosh Shakoviç, 31vjeç, u vra më 31 mars 2018 në qendër të Podgoricës teksa ishte ulur në lokalin “Forum”. Në sulm mbeti i vrarë edhe një viktimë aksidentale, Radivoje Jovanoviç, i cili ishte ulur në tavolinën ngjitur kur vrasësi i maskuar qëlloi.

Nga ana tjetër, policia e Beogradit ishte në kërkim të Miliq Shakoviçit me dyshimin se ka marrë pjesë në likuidimin e liderit të tifozëve të Partizanit, Aleksandar Stankoviç, i njohur si Sale Mutavi, i cili u vra pasi vrasësit e ndoqën atë, më 13 tetor 2016 në Beograd.

Shakoviç u arrestua atëherë kur policia gjeti dy pistoleta me nga 15 plumba në karikator në një ndarje të veçantë në makinën e tij të blinduar. Shakoviç u lirua pas marrjes në pyetje pasi shoku deklaroi se armët i përkisnin atij.

Ai u arrestua edhe më 7 shkurt 2019 në Podgoricë me dyshimin se ka tentuar të vrasë dy anëtarë të klanit kriminal të Kavaçit më 27 mars 2016 në Kotorr. Administrata e Policisë më pas bëri të ditur se të dyshuarit për tentativën e vrasjes së liderit të supozuar të klanit Jovan Vukoviç ishin vrarë.

Pas arrestimit të tij para prokurorit dhe gjykatësit hetues, Sakoviç pretendoi se ai nuk ishte në Kotorr natën kur u qëlluan Vojin Stupar dhe Milos Radonjiç.

Prokuroria dyshoi se atë natë Dedovic, i vrarë në Athinë, ishte pas timonit të “BMW”-së me të cilën ai, Vukotiçi dhe Sakoviçi ua bllokuan rrugën Stuparit dhe Radonjiçit dhe qëlluan në drejtim të tyre, shkruan Shekulli.

Sipas prokurorisë, Vukotiçi ka qenë i pari që ka qëlluar në momentin kur Stupari dhe Radonjiç kanë zbritur nga automjeti dhe kanë filluar të ikin. Në këtë moment sipas policisë, nga BMW-ja kanë dalë Dedoviç dhe Sakoviç duke qëllua disa herë në drejtim të viktimave. Për shkak të kësaj, Sakoviç ishte në paraburgim për gjysmë viti.

Të ngjashme