Lajme
Inflacioni në Kosovë kap vlerën dyshifrore, çmimet e konsumit vazhdojnë të shtrenjtohen
Demokracia
11:46 | 15 Prill 2022

Share:

Inflacioni në Kosovë ka kapur vlerën dyshifrore, duke arritur vlerën e 10 për qindëshit në muajin mars të vitit 2022.

Kjo është hera e parë që regjistrohet një shifër kaq e lartë e inflacionit në Kosovë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), që ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve në Kosovë (IHÇK)”, për muajin mars të vitit 2022-të, inflacioni vetëm i muajit mars krahasuar  është 2.7 për qind më i lartë, ndërsa krahasuar me vitin e kaluar është 10 për qind, raporton Demokracia.com.

Ndërsa produktet që kanë shënuar ngritje të çmimeve janë: Buka, mishi, qumështi, djathi, drithëra, vaj dhe yndyra.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it buka dhe drithërat (6,3%), mishi (1,0%), qumështi, djathi dhe vezët (5,7%), vajrat dhe yndyrat ushqimore (11,3%), pemët (2,7%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (1,9%), ujë, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (1,7%), pijet alkoolike (5,9%) veshje (4,9%)”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ngritje të çmimit është vërejtur edhe në energji elektrike, gaz, pelet, dru.

“Energjia elektrike (13,0%)-((shpjegim: çmimi mesatar reflekton çmimin e faturuar për muajin mars sipas tarifave dhe strukturës se re tarifore te aprovuar nga Rregullatori për Energji Elektrike. Sipas strukturës se re, konsumatorët shtëpiak ndahen ne dy blloqe ne konsumin, nen 800 kËh dhe mbi 800 kËh, te cilat tutje dallojnë sipas konsumit natë dhe ditë, çmimi mesatar varijon (nuk është fiks) varësisht nga konsumi ne blloqe dhe sipas ndarjes nate/dite)), gazi (11,4%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (2,5%), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (4,0%)”.

Edhe në transport dhe në hoteleri është vërejtur ngritje e çmimeve.

“Karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (10,9%), shërbimet për transport (6,8%), shërbimet hoteliere (0,8%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,7 për qind në IHÇK-it”, thuhet tutje në raportin e ASK-së./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 28 Maj 2024