Lajme
Inflacioni i çmimeve 7.5 për qind në shkurt, rëndohet jeta e qytetarëve
Demokracia
20:01 | 12 Mars 2022

Share:

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin shkurt 2022.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1.1% në muajin shkurt 2022, krahasuar me muajin janar 2022, raporton Demokracia.com.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.8%); mish (0.8%); qumësht, djathë dhe vezë (2.0%); vajra dhe yndyra ushqimore (1.0%); pemë (1.5%); perime (9.6%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (1.4%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.0%); veshje (0.7%); pajisje shtëpiake (1.4%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (5.5%); shërbime hoteliere (0.6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.1 për qind në IHÇK.

Kurse, norma vjetore e inflacionit e krahasuar në muajin shkurt 2022 me muajin shkurt 2021 ishte 7.5%.

Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, në një përgjigje për Demokracia.com ka vlerësuar se doza e shpresës që në vitin 2022 do të këndellet ekonomikisht bota dhe rrjedhimisht edhe ne si shtet, për fat jo të mirë, u përmbysë si rezultat i konfliktit Rusi-Ukrainë, duke e ndikuar që bursa botërore dhe çmimet të rritën në mënyrë enorme brenda javës dhe brenda ditës.

Kadriaj ka konsideruar se rritja e inflacionit mujor prej 7.5% është e lartë dhe shqetësuese për qytetarët.

“Për fat jo të mirë Kosova si shtet me import të lartë në të gjitha produktet, me theks të veçantë në konsum, bëri që të rriten çmimet të cilat padyshim rritën dozën e shqetësimit tek qytetarët, ku duke u bazuar në të dhënat e ASK-së, një rritje prej 7.5% do e rëndojë jetën e qytetarit”, ka thënë Kadriaj për Demokracia.com.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të bëjë inspektime tek bizneset, duke kritikuar ekzekutivin edhe për çështjen e pagës minimale.

“Tani kur flasim, qytetari pret dorën e shtetit që të veprojë, duke rritur kontrollin tek bizneset tregtare. Njëhërit, duke rritur pagën minimale, përndryshe qytetarit nuk i ka mbetur alternativë vetëm për të emigruar. Pra, një rrugë shumë e rëndë, por edhe mbas 22 vite çlirim nuk ka perspektivë dhe shpresë për të ndërtuar të ardhmen e fëmijëve të tyre. Pra, barra bie mbi qeverinë në harmonizimin e çmimeve në raport me të hyrat e qytetarëve”, tha tutje ai.

Me termin inflacion përcaktohet rritja e çmimeve bazë të konsumit dhe shërbimeve ose anasjelltas shkalla e rënies së fuqisë blerëse të konsumatorit./Demokracia.com/

Të ngjashme