Lajme
Infermierja që mori zemrat e pacientëve
Demokracia
17:39 | 11 Janar 2023

Share:

Në këtë kohë kur lajmet nga sektori shëndetësor shpesh janë rrëqethëse, një infermiere e Klinikës së Neonatologjisë ka marrë dhjetëra falënderime për përkushtimin dhe sakrificën që ka bërë për pacientët 

Disa njerëz vijnë në këtë botë për të na rikujtuar se sa e bukur është ajo.  Se në të ka njerëz të mrekullueshëm dhe se e mira ekziston. Kështu e fillon rrëfimin e saj Blerina Berisha – Beqiri nga Prishtina në emisionin “Studio A” me gazetaren Adelina Hasani në ATV, duke iu referuar mysafires së emisionit, infermieres Nexhmije Gori.

“E takova para tetë vitesh zonjën Nexhmije Gori në momentet më të rënda në jetën time, kur po përballesha me jetën e tim biri. Ato ditë, mbështetja që ma ofroi, ndihma profesionale prej një heroine të cilën nuk do ta harroj kurrë bëri që edhe në lindjen e djalit tjetër, edhe pse gjithçka shkoi në rregull të doja ta kem pranë”, thotë Berisha – Beqiri.

Ishin edhe shumë gra tjera që ngjallën emocione të forta me mënyrën e falënderimit që i bënë infermieres së Klinikës së Neonatologjisë Nexhmije Gori, e cila që nga paslufta punon kryesisht me fëmijët e lindur para kohe në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK.

Infermierja Gori: Jam e sigurt, njerëzit nuk harrojnë

Gori ndjehet shumë e përmbushur në aspektin profesional dhe këtë përmbushje ajo thotë se ia dedikon rezultateve tek pacientët.

“Më së shumëti më përmbushin falënderimet e njerëzve dhe jam e sigurt që njerëzit nuk harrojnë. Puna e infermieres nuk është aspak e lehtë, është mjaft sfiduese dhe mos të them e lodhshme, sepse kur doni një punë ia dilni; por është e ndjeshme dhe në çdo kohë duhet të jeni në shërbimin e pacientëve, natë e ditë, në çdo rrethanë sepse veç e keni dhënë një betim dhe kur pacienti është para teje harron çdo gjë që ke para vetes, nëse është në pyetje edhe familja jote e që unë e kam ba atë punë”, thotë Gori.

Si nënë e dy djemve, Nexhmija kishte vendosur që për një muaj të tërë të mos i takojë ata, duke u paraqitur si vullnetare për punë në Klinikën Infektive, gjatë kohës sa Kosova u përfshi në valë të rënda si pasojë e Covid 19.

Për një muaj qëndroi larg fëmijëve, për t’u kujdesur vullnetarisht për pacientët me Covid

“U paraqita si vullnetare dhe ishte një ankth te të gjithë pacientët dhe për një muaj kam larguar gjithë familjarët; kam jetu veç vet në shtëpinë time dhe kam shërby në Klinikën Infektive pranë atyre pacientëve”.

Gori rrëfen se kjo nuk ka qenë aspak e lehtë, as në aspektin psiqik e as atë fizik.

“Ato rroba kanë qenë të rënda m’i bajtë. Ka qenë mjaft nxehtë, ka qenë mjaft ankth… Ka pasur shumë stres dhe e mundimshme; edhe ne jemi njerëz… Pos tjerash ka qenë mungesa dhe frika për familjen se çka po ndodhë me ta dhe unë nuk mundem me qenë afër tyre. Dhe fatmirësisht ata kanë qenë mirë dhe jam mundu zbrazëtinë me kompensu përmes komunikimit virtual”, rrëfen infermierja Gori. Ajo ka porositur posaçërisht infermierët e rinj që të duan profesionin dhe të jenë në shërbim të pacientëve sepse ky është edhe misioni i secilit infermier.

 

 

Të ngjashme