Lajme
Infektologu Ramadani paralajmëron një variant të ri të virusit, tregon a duhet të ketë masa kufizuese
Demokracia
21:34 | 05 Korrik 2022

Share:

Rastet pozitive me Covid-19 janë rritur në Kosovë kohëve të fundit. Ditët e fundit shifrat kanë qenë mbi 100, ndërsa sot me 5 korrik, janë infektuar 213 persona.

Për rritjen e të infektuarve me Covid në Kosovë, shkaqet dhe mundësinë për masa kufizuese, ka folur infektologu Hamdi Ramadani.

Sipas tij, ka disa arsye pse janë rritur numrat e të infektuarve, e të cilët janë ardhja e bashkatdhetarëve, mos vaksinimi qytetarëve me vaksina anti-Covid dhe mbajtja e tubimeve e ahengjeve në ambiente të mbyllura.

“Për fat të keq, tash e 3 javë vendi ka shënuar një rritje të dukshme të rasteve pozitive me Covid-19 dhe javën e fundit numri i rasteve ka kaluar shifrën mbi 100 ndërsa sot mbi 200 raste. Pse ka ndodhur kjo? Tani në vazhdimësi po vijnë në Kosovë bashkatdhetarët nga vende të ndryshme të botës dhe me ardhjen e tyre në qytete të ndryshme të Kosovës po mbahen tubime të mëdha, ahengje dasma në restorante, mbrëmje muzikore dhe në të shumtën e rasteve këto mbahen në ambiente të mbyllura, dhe ky organizim me shumë njerëz ndikon në rritjen e rasteve pozitive me Covid. Arsyeja e dytë është jo imunizimi në masë, mbi 70-75 për qind e moshës mbi 18 vjeç, pasi deri në këtë moshë janë fare të pavaksinuar, nuk janë fare të përfshirë në programin e vaksinimit, që është me tri doza dhe jo më pak. Arsyeja e tretë është mos vaksinimi kohëve të fundit, ku kemi shumë pak raste të vaksinimit të qytetarëve. Me tri doza janë 103234 mijë qytetarë, të cilët janë të mbrojtur nga virusi, ndërsa kemi mbi 823.700 mijë qytetarë që janë me 2 doza por që nuk janë të mbrojtur as deri në 70 apo 80 për qind nga virusi dhe me një dozë 903440 qytetarë që nuk janë fare të mbrojtur nga asnjë variant. Pra mbrojtja bëhet vetëm me 3 doza të vaksinës. Janë gjithsej mbi 225 mijë qytetarë të shëruar dhe mbi 3140 raste me vdekje deri tani gjatë ditës që lamë kishte në një ditë 25 të vaksinuar, kjo pra është shqetësuese”, tha Ramadani për Gazeta Blic.

Ai thotë se është shqetësuese pse qytetarët hezitojnë të vaksinohen, derisa shton se duhet hulumtuar si rast se pse qytetarët nuk po vaksinohen, pasi vaksina është më e mira amerikane, e certifikuar nga organizata kompetente dhe qytetarët nuk po vaksinohen me dozën e tretë, disa as me të parën e të dytën.

Lidhur me mundësinë e masave kufizuese, infektologu vlerëson se nëse vazhdon trendi i njëjtë apo edhe i rritjes edhe më shumë të rasteve, duhet vendosur masa kufizuese të përgjithshme por jo orë policore apo mbyllje.

“Sa i përket masave se çka duhet të bëhet, mendoj se institucionet përkatëse duhet me kujdes në vazhdimësi ta vrojtojnë situatën epidemiologjike në vend dhe rajon dhe nëse trendi do të vazhdojë kështu, duhet marrë masa të përgjithshme që do ta bëjnë ndalimin e rritjes së rasteve, mbajtja e higjienës, distancë 1.5 metra, e mbajtja e maskës janë të nevojshme por jo masa kufizuese si orë policore ose të tilla. Nëse kjo shifër rritet organet kompetente duhet t’i marrin masat e përgjithshme

Nuk mendoj se vendi ynë do të futet në një situatë sikur ta zëmë vitin e kaluar, muajin gusht. Të gjitha të dhënat bëjnë që situata të mos bëhet e rëndë”, potencon Ramdani.

Ndërsa, për variantin aktual të infektimeve, ai thotë se është Omicron, por që paralajmëron se në ditët dhe javët në vazhdim mund të kemi një variant të ri të Covid-19.

“Tash për tash, flitet gjithmonë që rastet janë me variantin Omicron por unë mendoj se në ditët e ardhshme, në javët në vijim, do të paraqitet një variant i ri i Covid-19, me siguri janë duke punuar ekipet përkatëse të OBSH-së dhe javët e ardhshme do të shihet nëse do të ketë edhe një variant i ri pasi po rritet mundësia për variante të reja dhe në ditët apo javët ne vazhdim do të dihet a do të ketë”, deklaron infektologu.

Ramadani potencon se duhet të bëhet vaksinimi i sa më shumë qytetarëve dhe se organeve shtetërore kompetente të shëndetësisë duhet t’i sensibilizojnë qytetarët që ta bëjnë këtë dhe t’i bindin se arma e vetme kundër virusit është vaksina.

“Dy gjëra janë të rëndësishme në vendin tonë, duhet të bëhet vaksinimi me dozën e tretë dhe duhet sensibilizim më i madh i organeve shtetërore kompetente të shëndetësisë dhe shërbimeve mjekësore që qytetarët të besojnë në vaksinë dhe ta marrë atë, si arma e vetme për ta shtypur virusin Covid në variante të ndryshme”, përfundon Hamdi Ramadani.

 

Të ngjashme