Lajme
Infektimet në rritje, qendra për testim në Prishtinë punon vetëm deri në orën 14:00
Demokracia
23:50 | 14 Korrik 2022

Share:

Numri i rasteve çdo ditë e më shumë po shkon në rritje por pavarësisht kësaj testimet për COVID-19 bëhen vetëm deri në orën 14:00 për shkak të mungesës së stafit. Ndërkohë numri i rasteve pozitive gjatë ditës së sotme kanë qenë 871. E, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi e ka quajtur këtë një rritje eksplozive të rasteve.

Në orën 14:30 në qendrën për testim për COVID-19 nuk gjendet askush.

Sipas zyrtarëve kjo po ndodhë për shkak mungesës së stafit.

E në ndërkohë, numri i rasteve pozitive ditën e enjte ka prekur shifrën 871 por nuk ka pasur asnjë vdekje.

E për këtë Ministria e Shëndetësisë po bënë thirrje për kujdes e vaksinim.

Madje ata kanë thënë që Kosova ka një tendencë të rritjes së numrit të rasteve në ditët në vijim.

“Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç; me dozën e katërt, mund të vaksinohen personath e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë”.

Për një valë të re të virusit ka folur edhe drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Ai tha se kjo është një rritje eksplozive e rasteve por qytetarët e vaksinuar po e kalojnë më lehtë virusin.

“Sot psh. Kemi 41 pacientë të hospitalizuar në nivel të Kosovës, 21 në Prishtinë në klinikën infektive dhe klinikën e pediatrisë dhe të tjerët janë nëpër spitalët e përgjithshme nga këta të spitalizuar shumica prej tyre janë me dy vaksina por nuk kemi për momentin asnjë që janë të vaksinuar me tri vaksina”, ka thënë Krasniqi.

Aktualisht në vend janë 3263 raste aktive pozitive me Covid-19.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar 253 persona.

Të ngjashme