Sport
Infantino: FFK dhe Agim Ademi po bëjnë punë fantastike  
Demokracia
22:52 | 30 Shtator 2022

Share:

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të premten, ka vizituar për herë të parë Kosovën. I pari i futbollit botëror erdhi në vendin tonë me ftesë të presidentit Agim Ademi. Ai ateroi në tokën dardane në orët e paradites, ku në aeroportin “Adem Jashari”  u prit nga presidenti Ademi dhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.

Së bashku me Infantinon zbarkuan edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i FFM-së, Muamet Sejdini, si dhe delegacioni i FIFA-s në përbërje Mattias Grafstrom, zv/sekretar i përgjithshëm, Alasdair Bell, zv.sekretari i përgjithshëm i administratës, Youri Djorkaeff, këshilltar i lartë i futbollit dhe Federico Raviglione, menaxher i zyrës së presidentit. Kreu i FFK-së e falënderoi presidentin Infantino për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Kosovës që nga Kongresi i majit të vitit 2016 e deri më sot, teksa i pari i FIFA-s u shpreh i lumtur për hapat e mëdhenj përpara të futbollit kosovar pas anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Vizitën në Kosovë presidenti Infantino e filloi me vendosjen e luleve tek shtatorja e Legjendës, Fadil Vokrri, teksa në stadiumin që e bartë emrin e ish-presidentit, u mirëprit me duartrokitje frenetike nga futbollistët e gjeneratës së rezistencës dhe grupi i tifozëve “Dardanët”.

Më pas presidenti Infantino i shoqëruar nga presidenti Ademi dhe pjesa tjetër e delegacionit shkuan për takime me krerët e institucioneve shtetërore. Në takimin me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kjo e fundit e ka falënderuar presidentin Infantino, ngase qysh në Kongresin e parë të kësaj organizate, prej kur ai mori drejtimin e FIFA-s, e vendosi në agjendë pranimin e Kosovës në shtëpinë e madhe të futbollit. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka nevojë për ndihmë në aspektin infrastrukturor sportiv. Ndërkaq, në takim me kryeministrin Kurti në qendër të takimit ishin angazhimet e përbashkëta për zhvillimin e futbollit, si dhe gatishmëria për bashkëpunim në përmirësimin e infrastrukturës. Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e hapur për bashkëpunim me të gjitha strukturat sportive ndërkombëtare dhe vendore për të siguruar zhvillimin e futbollit në përputhje me zhvillimet më të reja të sportit global.

E në takim me ministrin e Sportit, Hajrulla Çeku u diskutua për infrastrukturën e futbollit dhe përfshirjen e këtij sporti në sistemin arsimor të Kosovës, konkretisht hapat e bashkëpunimit në integrimin dhe adaptimin e modelit të programit të FIFA-së “Futbolli në Shkolla”.

Po ashtu, takim me presidentin Infantino ka pasur edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili e ka nderuar të parin e FIFA-s, duke ia ka dorëzuar “Çelësin e Kryeqytetit”. Në këtë takim presidenti i FIFA-s, ka thënë se është nder për kryqytetin dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi që ta ketë një stadium modern nacional, teksa shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të dhënë ndihmën financiare në këtë drejtim nëpërmjet FFK-së.

Pas takimeve me krerët e institucioneve, presidenti Infantino ka qenë në drekë të përbashkët me komunitetin e futbollit, ku pjesëmarrës ishin drejtues klubesh dhe njerëz të çmuar të futbollit, të cilët dhanë kontributin e tyre ndër vite. Edhe aty i pari i FIFA-s shprehu mirënjohjen e tij për kreun e FFK-së dhe për punën e shkëlqyeshme pas anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Presidenti Infantino vizitoi edhe selinë e FFK-së, ku u mirëprit nga administrata e shtëpisë së futbollit kosovar, si dhe u bë një prezantim i projekteve të realizuara në bashkëpunim me FIFA-n.

Në përfundim të vizitës, Infantino dhe Ademi iu drejtuan edhe mediave të shumta para selisë së FFK-së.

Infantino tha se është i nderuar me mikpritjen e ngrohtë, teksa tha se ka pasur një vizitë me takime të ngjeshura, e në të cilat është diskutuar për zhvillimin e mëtejmë të futbollit në Kosovë. “Pikësëpari më lejoni të them se për mua është kënaqësi dhe nder i madh të jem këtu në Kosovë, të takohem me presidentin e Federatës, Agim Ademi, Komitetin Ekzekutiv, stafin e administratës dhe njerëzit e futbollit. Kosova është një shtet futbolli, është shtet special gjithashtu, sepse është bërë anëtare e FIFA-s në vitin kur jam bërë president i FIFA-s”, ka theksuar Infantino.

Kreu i FIFA-s theksoi se Kosova është shtet  i bekuar në aspektin e futbollit, pasi ka talente si brenda ashtu edhe jashtë kufijve.

“Kosova është vend special, vend i ri dhe shtet që është i bekuar në aspektin e futbollit kur shikoni talentet që ka në Kosovë, por edhe në gjithë botën. Kjo është një gjë unike për Kosovën, pasi ka shumë kosovarë me aftësi të jashtëzakonshme të futbollit. Kur kemi diskutuar me presidenten, kryeministrin dhe të tjerët, kemi folur për ta dërguar futbollin në nivelin tjetër. Ky është shtet që do të ketë sukses të madh në futbollin e meshkujve dhe femrave, pasi tashmë ka lojtarë të mëdhenj që nganjëherë luajnë për shtetet e tjera për shkak se janë rritur aty”, ka theksuar tutje Infantino.

Ai tha se futbolli i Kosovës duhet të rritet nëpërmjet shkollave të futbollit e akademive, aspekt në të cilin do të ndihmojë shumë edhe FIFA, teksa theksoi se ndërtimi i Stadiumit Nacional, do të ishte simbol i shtetit.

“Kemi folur për shkollat e futbollit, akademitë dhe për Stadiumin Nacional që do të jetë krenaria dhe simboli  i shtetit tuaj të ri, por i projektuar për të ardhmen. Kështu që do të shikojmë të bashkëpunojmë dhe punojmë së bashku në këtë aspekt. Dua të falënderoj Federatën, presidentin Agim Ademi që po bën një punë fantastike. Dua ta përkujtoj një person që e kam njohur dhe është afër zemrës sime, është Fadil Vokrri, që ka bërë shumë për shtetin dhe futbollin e Kosovës, të cilën e kam takuar edhe para se të bëhem president i FIFA-s dhe e kam vlerësuar shumë. Kështu që, gjëja e parë që e kam bërë këtë mëngjes ishte të shkonim në stadiumin e tij dhe ta kujtonim atë me buqeta lulesh dhe mendime të mira”, ka nënvizuar presidenti Infantino.

Ndërkaq, presidenti Ademi ditën e sotme e ka quajtur speciale për Kosovën, e në veçanti për futbollin.

“Sot është një ditë speciale për Kosovën, sigurisht për ne edhe me speciale, për komunitetin e futbollit, sepse ta kesh njeriun e parë të FIFA-s këtu nuk është pak. Normalisht, jemi të nderuar shumë si federatë, si futboll, si Kosovë që kishim njeriun e parë të futbollit këtu. Ne diskutuam për futbollin, më së shumti për projektet. I pa projektet tona që i kemi dhe FIFA do të jetë përkrahëse në vazhdimësi e projekteve të tjera”, ka thënë presidenti Ademi.

Pas deklarimit për media, presidenti Ademi e ka shoqëruar presidentin Infantino për në aeroportin “Adem Jashari”, teksa kreu i FIFA-s edhe njëherë e ka falënderuar për mikpritjen tejet të ngrohtë. /Demokracia.com

Të ngjashme