Lajme
Incidentet i vënë në pikëpyetje zgjedhjet në veri
Demokracia
09:50 | 08 Dhjetor 2022

Share:

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, megjithatë është ende e paqartë nëse do të ketë kushte për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve. 

Vendimi për shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve në veri të Kosovës do të merret vetëm pas vlerësimit të situatës së sigurisë në këtë pjesë të vendit, tha Presidenca e Kosovës. Ndërsa Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se, aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë datë.

Edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, të mërkurën deklaroi se incidentet në veri më 6 dhjetor dëshmuan se qasja e KQZ-së është e kufizuar në këtë pjesë të vendit.

Sipas tij, KQZ-ja në këto kushte nuk mund ta rrezikojë jetën e zyrtarëve zgjedhorë.

“Në këto kushte, nuk mund të punojmë sipas planit tonë të paraparë. Është e padrejtë të kërkohet nga zyrtarët tanë që të dërgohen në një vend ku ka pasiguri”- tha Radoniqi.

Të martën e 6 dhjetorit, grupe të qytetarëve serbë në veri e penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar incidente me armë zjarri dhe granata.

Ndërsa, mbrëmjen e 7 dhjetorit, në veri të Mitrovicës ndodhën dy shpërthime me bomba trullosëse apo, siç njihen ndryshe, “shok-bomba”.

Shpërthimet u raportua të kenë ndodhur te një udhëkryq në “Lagjen e Boshnjakëve”.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës njoftoi se janë regjistruar dy bomba trullosëse apo, siç njihen ndryshe, “shok-bomba”, por nuk raportohet për të lënduar.

“Dy sulme me shok-bomba në dy lokacione. S’ka dëme, s’ka të lënduar”- u tha në njoftim.

Policia, po ashtu, ka konfirmuar se nga dy shok-bombat e hedhura, nuk kishte të lënduar e as dëme materiale.

Ndryshe, zgjedhjet në katër komunat në veri u shpallën nga presidentja Osmani, pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Tensionet në veri të Kosovës nisën të rriten qysh në verë, kur Qeveria e Kosovës tha se nuk do të lejojë më makina me targa që i lëshon Serbia.

Duke kundërshtuar këtë plan, që nisi të zbatohej më 1 nëntor, serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Kosova dhe Serbia, ndërkohë, arritën marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina pezulloi planin për riregjistrimin e makinave, ndërsa Beogradi u zotua se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.

Tash për tash, nuk është e qartë nëse serbët e veriut do të mund të kthehen në institucionet e Kosovës dhe nëse po, si?!

Shpallja e zgjedhjeve në veri nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte obligim ligjor. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme