Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë sot pjesë në inaugurimin e aneks-objektit të Agjencisë për Forenzikë.
Ai nga atje ka thënë se inagurimi i kësaj agjencie është model për të gjithë regjionin, shkruan Demokracia.com
“Ju përgëzoj që keni arritur në këtë pikë, që të kompletohet deri në këtë pikë më krejt infrastrukturën e nevojshme. Përgëzoj drejtorin që pa zhurmë ka bërë gjithë këto punë, gjithë këto aktivitete. Kjo është agjenci model në regjion. Policia e Kosovës mbetet ndër institucionet më kredibile në sytë e qytetarëve të Kosovës”, tha Hoti.
Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka thënë se përurimi i këtij objekti krijon kushte për kryerjen e shërbimeve forenzike.
“Ky investim shënon një sukses të lartë në konsolidimin e institucioneve të sigurisë në vend[…]Shkenca e forenzikës duhet të kontribuojë në gjetjen e së vërtetës. Me ndërtimin e këtij objekti Agjencisë së Forenzikës po i krijohen kushtet për kryerjen e shërbimeve forenzike me urdhëron e Gjykatave, Policisë”, tha Veliu.
Blerim Olluri, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, e ka vlerësuar shumë të rëndësishme ditën e sotme, dhe ka thënë se krijimi i kushteve për shërbime forenzike po bëhet shembull edhe për rjaonin.
Ai mes tjerash ka pasur edhe një kërkesë për kryeministrin në detyrë rreth Ligjit për Paga.
“Ligji për Paga ka dëmtuar personelin e AKF-së. Për këtë arsye unë dua të adresoj një kërkesë për kryeministrin tash, për Qeverinë që do të zgjedhet që statusi i ekspertit forenzik të ketë vendin meritor”, tha ai./Demokracia.com