Lajme
IML përfshihet nga zjarri për të tretën herë brenda dy viteve
Demokracia
16:08 | 30 Qershor 2024

Share:

Për herë të tretën herë brenda dy viteve, Instituti i Mjekësor Ligjor (IML), është përfshirë nga zjarri, institucion ky në të cilin mbahen prova të rëndësishme për vdekjet e dyshimta në Kosovë.

“Sot më 30.06.2024 rreth orës 02:00 të mëngjesit, në njërën nga korridoret e daljes emergjente është lokalizuar zjarri nga stafi kujdestar në IML dhe i njëjti është shuar nga zjarrfikësit. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet policore dhe ekspertët e zjarrit dhe elektroteknikës. Sipas vlerësimeve preliminare shkaku i zjarrit ka qenë defekti elektrik në njërën nga pajisjet elektrike në korridor”, thuhet në njoftim për media të IML-së.

Sipas këtij njoftimi, mendimi përfundimtar do të jepet pas ekspertizës finale e cila do t’i dorëzohet Prokurorisë.

Po ashtu është bërë e ditur se objekti i IML-së do të rinovohet dhe pritet të kushtojë rreth 900 mijë euro dhe do të fillojë sapo të përfundojnë procedurat e prokurimit, të cilat gjenden në fazën e ofertimit të operatorëve ekonomik e që parashihet të përmbyllet me 2 korrik.

“Renovimi do të përfshijë instalimin e sistemit kundër zjarrit, zëvendësimin dhe riparimin e instalimit elektrik, ventilimin dhe klimatizimin e ri, si dhe ri-dizajnimin e hapësirave të punës”.

Ndërkaq komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi, ka thënë për mediat në Prishtinë se zjarrfikësit ndërhynë me kohë në atë zonë, duke e shuar zjarrin në IML.

“Zjarri kishte përfshirë disa gjëra të cilat nuk di se përse përdoreshin, por në parim dukeshin si mbeturina. Zjarri ishte minimal sepse me kohë kishin reaguar stafi i institutit me aparate për fikje të zjarreve fillestare”, theksoi Gashi.

Ndryshe, pas zjarrit që kishte kaluar këtë institucion gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati deklaruar se informacionet e para, tregojnë se zjarri kishte ndodhur si pasojë e defekteve në sistemin elektrik.

Në po të njëjtin institut, për një kohë të gjatë ishte raportuar se kanë humbur nga dhoma e dëshmive mbetjet e Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje që vdiq në rrethana të dyshimta në burg e për të cilin LVV thoshte se “e ka vrarë pushteti”.

Të ngjashme