Lajme
IML largon tre trupat e tre personave që vdiqën sot në Lipjan, detaje nga vendi i ngjarjes
Demokracia
22:42 | 28 Korrik 2023

Share:

Pas rreth pesë orëve që prej rastit, trupat e pajetë të tre personave në Lipjan janë tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Sipas informacioneve që ka marrë Nacionale nga terreni, tre anëtarë të një familje, babai, nëna dhe i biri kanë mbetur të vdekur.

Ndërkohë që nuk dihen shumë detaje, Nacionale mëson se njëri nga viktimat, djali i çiftit ka pasur probleme shëndetësore.

Po ashtu, familja ka pasur edhe dy djem të tjerë.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se tre personat që janë gjetur të vdekur në fshatin Rufc të Lipjanit janë familjar.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj konfirmoi se në këtë rast kanë ndodhur dy vrasje dhe një vetëvrasje brenda familjes.

“Lidhur me rastin i cili ndodhi sot në fshatin Rufc të Lipjanit, ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti. Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, dyshimet çojnë drejt vrasjes së dy viktimave nga arma e zjarrit, si dhe një vetëvrasjeje (brenda familjes)”, tha Ulaj.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se trupat e pajetë do të dërgohen në IML për obduksion.

“Trupat e pajetë, me urdhër të Prokurores së Shtetit do të dërgohen në IML për obduksion, derisa veprimet hetimore do të vazhdojnë deri në zbardhjen e rastit në plotëni.” – ka përfunduar Ulaj.

Të ngjashme