Bashkësia Islame e Kosovës u ka kërkuar të gjithë imamëve në vend në xhumanë e sotme të ligjërojnë dhe ta dënojnë vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.
Në lidhje me këtë, imami Bekim Jashari, ka thënë se e kanë marrë shkresën dhe ligjëratën për ditën e sotme nga kryesia qendrore, ku përmes saj tha se është dënuar fuqishëm vrasja e rreshterit Lika.
“Ne duhet të flasim në atë që e dimë dhe jo në atë që supozohet. Në këtë rast, çdo gjë që e flasim, bëjë thirrje që janë organet e drejtësisë, kemi kuadro dhe strukturë të mirë të organeve të sigurisë që do ta zbardhin këtë rast”.
“Është shumë me rëndësi të dihet motivi, por nuk guxojmë t’i shpallim fajtorët para kohe, pasi në rrjete sociale u shpall fajtori. Këtë rast, mendoj që organet e drejtësisë do ta zbardhin, me vet faktin që po bëhet një punë intensive e policisë. Ndërsa, motivet janë cështje të drejtësisë e cila në ndërkohë njofton për këtë”, tha Jashari në Edicionin Special në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se përpara dhënies së gjykimit se kinse elementi islam mëson një gjë a tjetrën, duhet ruajtur qetësia, uniteti dhe dashuria mes shqiptarëve, teksa bëri thirrje që gjërat të merren me maturi dhe të besohet në institucione.