Në Kosovë tashmë janë paraqitur rastet e reja me variantin e ri britanik të koronavirusit.
Pas paraqitjes së rasteve të para të variantit të ri britanik të koronavirusit në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka dalë me një thirrje për qytetarët, shkruan Demokracia.com.
IKSHPK-ja ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos kenë kontakte as me familjarët dhe t’i zbatojnë të gjitha rekomandimet, pasi që varianti i ri i koronavirusit përhapet shumë më shpejtë.
Njoftimi i plotë i IKSHPK-së, pa ndërhyrje:
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË! DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!. /Demokracia.com/