Lajme
IKD: Përparim Rama këmbeu prona kundërligjshëm
Demokracia
21:05 | 21 Janar 2024

Share:

8 hektarë të “pavlerë” u vendos të ndërrohen me disa që kushtojnë miliona euro.

Komuna e Prishtinës këmbeu së fundmi pronën komunale në lagjen “Prishtina e Re” në Çagllavicë, me një tjetër të dy personave fizik në Badoc, zonë kjo ku ndalohen ndërtimet.

Propozimi që më pas u votua në kuvend komunal po del se ishte ide e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Më pas u mor vesh se pikërisht ky i fundit ka lidhje të drejtpërdrejta me dy pronarët e tokës, meqë edhe vetë kishte deklaruar publikisht se ka qenë i angazhuar si arkitekt për ndërtimet e kësaj zone në një pronë ku në vitin 2020, Lumir Abdixhiku si ministër në kabinetin e Qeverisë Kurti 1, e shpalli atë pjesë zonë të gjelbër.

Pra, kjo pronë që dy biznesmenëve u mbeti e pashfrytëzuar, iu këmbye tashti nga Komuna e Prishtinës me pronën në Çagllavicë, ku një hektarë raportohet të vlejë 1 milionë euro, raporton Klan Kosova.

Situatën e përcolli me vëmendje Instituti i Kosovës për Drejtësi i cili tha se vendimi është i kundërligjshëm dhe se ai duhet të anulohet.

”Ligji NR. 06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës (Tutje: Ligji) në nenin 24 ka përcaktuar kushtet për këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës. Fillimisht, ky nen ka përcaktuar se prona mund të këmbehet vetëm për qëllime të përmbushjes së interesit publik, gjersa vendimi i nxjerrë nuk e sqaron se cili është interesi publik në këtë rast. Veçanërisht, mbetet e paqartë për publikun se si mund të konsiderohet interes publik realizimi i planit rregullues “Prishtina e re – Zona Qendër”, gjersa është pikërisht kjo pronë që ipet në këmbim të një prone që s’ka të bëjë me këtë pjesë”.

Në një vijë me ligjin nuk veproi as Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që e validoi këtë vendim.

”Duke pasur parasysh këto shkelje ligjore, kjo Ministri do duhej të mbronte ligjshmërinë e vendimeve të kësaj natyre, duke vepruar në kuadër të kompetencave që ka sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe mos të validonte vendime të cilat janë në kundërshtim me Ligjin. Validimi i vendimeve të kundërligjshme të Komunës së Prishtinës nga kjo Ministri paraqet mos zbatim adekuat të kompetencave të kësaj Ministrie dhe cenim të interesit publik”.

Ndërkohë, vetë i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, në një reagim tha se vlerësimin e pronave nuk e bënë ai si kryetar por e përcakton Ministria e Financave në bazë të kritereve për vlerësim të pronave të definuara në legjislacion.

”Komuna e Prishtinës ashtu siç vepron në secilën procedurë të këmbimit të pronave, do ta bëjë ekzekutimin e vendimit në bazë të vlerësimit final që do ta marrë nga Ministria e Financave”.

Por, me këtë deklarim prapë ka mospajtime nga IKD-ja.

Nga ky institucion thanë se sipas Ligjit, është vendimi i Kuvendit Komunal që këmbën pronat dhe jo vlerësimi i Ministrisë së Financave, rrjedhimisht sipas tyre, Rama obligohet t’i përmbahet vendimit të Kuvendit Komunal dhe jo vlerësimit të Ministrisë të cilin do duhej ta merrte paraprakisht.

Të ngjashme