Lajme
IKD: Lëvizja Vetëvendosje mban rekord për ligje me shkelje kushtetuese
Demokracia
14:17 | 09 Prill 2025

Share:

9 prilli 2008 shënon një datë historike për shtetin e Kosovës. Në këtë ditë u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dokumenti më i lartë juridik që përcakton themelet e funksionimit të shtetit, duke e definuar atë si një republikë demokratike parlamentare, të bazuar në sovranitetin e popullit dhe në të drejtat e njeriut.

Por 17 vjet pas miratimit të saj, ky dokument që duhet të jetë i paprekshëm, po shkelet më shumë se kurrë më parë.

Alarmin për këtë situatë e ka ngritur hulumtuesi ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi.

Në një lidhje direkte online në emisionin “Kosova Live” në T7, Kolshi ka shprehur shqetësimin e thellë për numrin në rritje të shkeljeve kushtetuese.

“Megjithë rëndësinë e saj, Kushtetuta është cenuar në mënyrë të përsëritur, veçanërisht gjatë legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Kosovës, e cila rezulton të jetë një nga periudhat me numrin më të madh të shkeljeve kushtetuese,” tha Kolshi.

Ai shtoi se që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës dhe themelimi i Gjykatës Kushtetuese, çdo qeveri dhe legjislaturë ka kontribuar në shkeljen e dispozitave të saj, përmes miratimit të ligjeve dhe vendimeve që kanë dalë jashtë kompetencave të përcaktuara në aktin më të lartë juridik të vendit.

Ndërsa Kosova shënon përvjetorin e Kushtetutës, kjo thirrje për ndërgjegjësim vjen si një kujtesë e fortë se dokumenti themelor i shtetit nuk është vetëm simbolik, por garancia kryesore për të drejtat, barazinë dhe funksionimin e demokracisë.

Se çfarë tha Kolshi më shumë në lidhje me këtë temë, mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Të ngjashme