Lajme
Iftari në Kuvend dhe flirti fetar, Osmani e Konjufca shkelin parimin e laicitetit institucional
Demokracia
14:00 | 18 Prill 2023

Share:

Një debat për fenë, kombin e shtetin, ka përfshirë ditët e fundit Kosovën, shtet që me Kushtetutë është laik.

Përderisa shoqëria po vlon nga debati për islamin, deklaratat fyese të një imami për flamurin kombëtar dhe muajin e shenjtë të Ramazanit, fotografitë më darkat e iftarit të shtruara nga drejtues të institucioneve të Kosovës po i mbushin rrjetet sociale.

Pikërisht mbrëmë në mes të këtij debati, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca shtruan një iftar për përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Shtrimi i iftarëve tashmë ka kaluar në traditë, por jo edhe vendi ku u shtrua.

Nuk kishte ndodhur më parë që Kuvendi i Kosovës të priste mysafirë për darkë, shkruan Demokracia.com.

Në emër të flirtit me shumicën myslimane në Kosovë, laiciteti i shtetit nuk po i pengon Osmanin e Konjufcën që të shtrojnë iftare në objektin e dy institucioneve më të rëndësishme të vendit.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Ai nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, të cilin e ka shoqëruar më disa fotografi, ka treguar se në “Shtëpinë e Popullit” ka shtruar iftar për përfaqësuesit e besimtarëve myslimanë.

Aty mori pjesë edhe drejtuesja e shtetit laik, Vjosa Osmani, e cila detyrë kryesore e ka ruajtjen e Kushtetutës.

“Me kënaqësi i kemi ftuar sonte udhëheqësinë e BIK-ut për të marrë pjesë në iftarin tonë të posaçëm në Shtëpinë e Popullit, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani. Është një mundësi e veçantë për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet nesh dhe për të promovuar respektin dhe bashkëpunimin. Urojmë një mbrëmje të këndshme dhe të bekuar për të gjithë pjesëmarrësit e këtij iftari!.”, ka shkruar Konjufca.

Kur vjen çështja për të folur për fenë, politikanët kosovarë përgjithësisht kanë një hezitim. Ata tentojnë në vazhdimësi t’u ikin të gjitha debateve mbi çështjet fetare, sepse në këtë mënyrë do të rrezikonin të humbisnin votat e besimtarëve të cilësdo fe që bëhet fjalë. Kosova me Kushtetutë, në nenin 8 është përcaktuar si shtet laik. Nëse politikanët kosovarë janë për një shtet laik, demokratik, ku ka barazi gjinore, tolerancë, ku respektohen të drejtat e pakicave tjera nacionale dhe fetare, atëherë duhet të mbrojnë këtë parim dhe respektojnë Kushtetutën.

Flirtin e politikës me fenë kur i konvenon dhe të qenit i ashpër kur nuk i përshtatet qeverisjes, më së miri e tregon shembulli i deputetëve të Vetëvendosjes që njihen si fetarë, të cilët i dolën kundër gjatë votimit të Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës.

Në atë kohë u raportua se Kurti gojarisht u kishte kërkuar dorëheqjen nga postet që mbajnë brenda Vetëvendosjes, me arsyetimin se gjuha e përdorur gjatë diskutimeve në seancë ishte e papranueshme. Lideri i VV-së në atë kohë u raportua se ishte i ashpër gjatë takimeve, duke u kërkuar në mënyrë direkte dorëheqjen. Ashpërsia e Kurtit ishte reflektuar edhe në hapin tjetër që ndërmori pas takimit. Kërkesën e bërë ditë më parë gojarisht, Kurti ua kishte dërguar edhe në formë të shkruar tre deputetëve që mbajnë pozita ose që synonin të fitonin pozita në procesin e zgjedhjeve të brendshme të VV-së.

Edhe në zgjedhjet brenda VV-së, që u zhvillua vitin e kaluar, pati një tendencë për të ‘pastruar’ elementët që nuk përkojnë me qëndrimet liberale të partisë së Kurtit.

Mes deputetëve të Vetëvendosjes, kundërshtues të Kodit Civil kishin qenë Eman Rrahmani, Valon Ramadani, Visar Korenica, Labinotë-Demi Murtezi, Gramos Agusholli, Driton Hyseni, Fitim Haziri dhe Fjolla Ujkani.

E kjo u pa edhe gjatë votimit në Kuvend, ku më shumë se 10 deputetë të VV-së votuan kundër Kodit Civil. Disa prej deputetëve folën publikisht kundër nismës ligjore të Qeverisë Kurti.

Kujtojmë që Kodi Civil fliste për lejimin e bashkësive të regjistruara civile ndërmjet sekseve të njëjta, duke theksuar se kushtet dhe procedurat lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Çka është laiciteti?

Laiciteti si terminologji përmendet kah fundi i shekullit XIX-të në Francë si përpjekje për të shmangur apo larguar ndikimin e kishës mbi institucionet publike dhe në vitin 1905 merr trajtën ekzekutive me ligjin e ndarjes së kishës nga shteti. /Demokracia.com/

Të ngjashme