Lajme
“Idiotë”, “Do të keni pasoja të papërballueshme”| Kështu i komentonte Koreja e Veriut sanksionet kundër saj
Demokracia
21:50 | 02 Korrik 2023

Share:

Masat ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës u pritën me shumë reagime në vend. Madje, eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur edhe forma online peticioni për shkarkimin e Josep Borrellit (edhe të ndërmjetësit special të BE-së, Miroslav Lajçak). Me gjuhë të ashpër kundër BE, dolën edhe deputetë e zyrtarë të Vetëvendosjes.

Reagime të tilla ishin parë vetëm në kohën kur SHBA dhe Koreja e Jugut i kishin vënë sanksione Koresë së Veriut, shkruan Demokracia.com.

Koreja e Veriut më 2017 kërcënoi Shtetet e Bashkuara, pas aprovimit të sanksioneve të ashpra në Kombet e Bashkuara.

Natyrisht në atë kohë prononcimi i Penianit erdhi me një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Uashingtonit. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të presin një kundërpërgjigje shumë të ashpër, me pasoja të papërballueshme”, theksoi asokohe një funksionar koreanoverior për CNN.

“Derisa ne kemi arsenalin tonë bërthamor, mund të garantojmë siguri dhe paqe për vendin tonë”, tha më tej zyrtari i administratës së liderit Kim Jong-Un.

Edhe në një rast tjetër, Kim Yo Jong, motra e liderit të Koresë së Veriut, kritikoi iniciativën e Koresë së Jugut për të vendosur sanksione të reja të njëanshme ndaj Phenianit për lëshimet e vazhdueshme të raketave.

Kim Yo Jong, që besohet të jetë personi i dytë më i fuqishëm i vendit, i quajti udhëheqësit e Koresë së Jugut “idiotë”, duke thënë se masa të tilla vetëm do të rrisin armiqësinë dhe zemërimin në Korenë e Veriut.

E njohur për fjalorin e saj shumëngjyrësh, Kim i krahasoi Shtetet e Bashkuara me “një qen që leh, sepse e kap frika”, shkruan Demokracia.com.

Kim Yo Jong i bëri komentet në një deklaratë të transmetuar nga agjencia e lajmeve KCNA e Veriut, dy ditë pasi Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut tha se po shqyrtonte sanksione të reja të njëanshme kundër Koresë së Veriut lidhur me breshërinë e saj të fundit të testeve raketore.

Ndryshe, pasojat ndaj Kosovës tashmë dolën në dritë dhe s’kishin si të jenë më të errëta. Për herë të parë, Kosova u ndëshkua politikisht dhe ekonomikisht për kursin e saj, fillimisht të instalimit me forcë të tre kryetarëve shqiptarë me vota të pakta pa përfillur e dëgjuar asnjë kërkesë të aleatëve, partnerëve dhe operatorëve të sigurisë në veri, më pastaj për refuzimin e ngurtë për shtensionim të situatës sipas kërkesës mbarë perëndimore në veri të Kosovës.

Bashkimi Evropian më 28 qershor njoftoi Qeverinë e Kosovës për masat ndëshkuese që do të rëndojnë mbi vendin po që se përfundimisht vendoset të mos zbatohet planin tre-pikësh i hartuar për shtensionim.

Jo që Qeveria s’dëgjoi ose s’tregoi gjë, por u bënë edhe hapa të mëtutjeshëm që në potencial dhe në atmosferën e krijuar, veçse i shtonin edhe brum më të madh tensionimit aktual. Kurti vazhdoi të qëndroi indiferent ndaj të gjitha kërkesave të perëndimit. Andaj BE tashmë do ta nxjerrte kartën e saj të ndëshkimit hiç indiferente. Fondet e saj, të pezulluara; marrëveshja e vetme kontraktuale midis Kosovës dhe BE – Marrëveshja për Stabilizim-Asocim, u pezullua; takimet e vizitat e larta biletarale (përveç atyre që kanë të bëjnë me dialog dhe shtensionim), të gjitha të pezulluara; fondet e IPA-s, të pezulluara. Thjesht, Kosova u la në vetminë e saj. Por, kryeministri Albin Kurti jo që ndryshoi kurs, por përkundrazi po i vendosë në pikëpyetje edhe vetë vlerat e Bashkimit Evropian, duke e proklamuar kursin e tij si në esencë ndjekje e vetë vlerave “më të mira” të BE-së. Kjo, si një ‘Jo’ e relativizuar ndaj kërkesave të tyre të ndjekura edhe me shkopin sanksionues.

“Janë për të ardhur keq”, tha Kurti gjatë një mbledhje qeveritare, duke folur për masat ndëshkuese të BE-së. Kjo, ngase sipas tij, “po vijnë si reagim ndaj mbrojtjes së palëkundur që ne po i bëjmë vlerave të vetë BE-së”.

Ndonëse për Kurtin supozohet të jetë e qartë se për asnjë shtet të BE-së nuk është vlerë instalimi me forcë i një kryetari me 100 vota dhe me mbrojtje të rreptë policore të ambientit komunal, acarimi i “demos”-it të asaj zone, të cilët nuk ndjehen të përfaqësuar, për të është “demokraci dhe sundim i ligjit”. Kjo, përkthyeshëm, edhe si vlerësim ndaj asaj që i mbarë Komuniteti Trans-Atlantik po i kërkon të bëjë gjoja të kundërtën.

Por, Kurti, duke e shpërfillur seriozitetin e situatës, s’e ndjen nevojën për të ndërruar kurs. Madje, thotë se sido që të jetë Kosova mbetet “besnike e asaj që BE përfaqëson në më të mirën e saj”.

Kur u konfirmua se aplikimi i këtyre masave tashmë ka marrë hovin e saj të përnjëmend, Kurti kishte një përgjigje: ‘’S’bëjmë kompromis me sundimin e ligjit’’.

Masat ndëshkuese, sipas tij, duhet bërë ndaj “Serbisë që është pro-Kremlinit”. Kështu, duke e vazhduar obsesionin e tij që të merret me atë çka është në të vërtetë Serbia, masa ndëshkuese apo jo, tha Kurti, “ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë”.

“Këto nuk janë sanksione, por është e vërtetë që janë masa të përkohshme të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti, edhe ekzekutivi, më demokratik pro-evropian dhe progresist. Në anën tjetër, kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku i ka shkaktuar katër luftëra. Sido që të jetë, ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit, as me kushtetutshmërinë e vendit tonë, andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra, ashtu që edhe mbështetja, edhe ndihma evropiane, të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, ka thënë ai.

Ditë më parë ishte gazeta liberale austriake “Profil”, e cila ndante me lexuesit e saj disponimin perëndimor me Kurtin: “Ka rënë përtokë… flet si shirit i ngecur… janë thyer marrëdhëniet me të… po e izolon jo veç veten, por edhe Kosovën”, etj., ishin vetëm disa prej fjalëve që në prapaskenat diplomatike thuhen për Kurtin.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, shpërfaqi habinë më të madhe të tij me Kurtin.

Jo që jam i habitur, tha Hovenier, por edhe i merakosur.

“S’po arrij ta kuptoj pse… e kam të vështirë ta kuptoj”, thoshte Hovenier gjatë tërë kohës, derisa njoftonte për ndëshkimet që do të pasojnë nga ShBA, nëse Kurti s’ndërron kurs.

Jo që s’ka përgjigje pozitive nga Kurti, tha ambasadori, por sipas tij, “as që duket që do të ketë”. /Demokracia.com/

Të ngjashme