Këtë të enjte, në orën 20:45, kombëtarja suedeze e futbollit do të takohet me skuadrën çeke në gjysmëfinale të “Play-Off”-it për kualifikime në Kupën e Botës.
Para këtij dueli, sulmuesi 40-vjeçar, Zlatan Ibrahimoviq ka folur për të ardhmen e kombëtares, por edhe fundin e karrierës së tij, përcjell Demokracia.com.
Sulmuesi i Milanit tha se ndjen panik kur mendon të mos luaj më futboll.
“Ndjej pak panik për shkak të mundësisë për të ndaluar së luajturi. Sigurisht që do të vazhdoj për aq kohë sa të arrij rezultate, përderisa të jem mirë në fushë, pa vuajtur”, tha Ibrahimoviç që është në pritje të kontratës së re me Milanin dhe vazhdoi:
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas, kam shkruar një libër deri tani, u tremba pak. Roli në futboll? Të shohim kur të vijë ajo ditë. Mund të filloj diçka të re, të bëj një pushim ose të zhdukem plotësisht. Sigurisht, adrenalina që ndjej tani nuk do të ndihet më kurrë. Ne jemi të programuar të zgjohemi, të përgatitemi për stërvitje, të stërvitemi, të shkojmë në shtëpi dhe të pushojmë. Unë mendoj se do të jeni më i trishtuar që nuk do të më shihni më kurrë të luaj. Duhet të argëtoheni tani, nuk do ta shihni më kurrë diçka të tillë”, ka theksuar Ibrahimoviq.
Fituesi i këtij dueli do të takohet me Poloninë në një ndeshje vendimtare më 29 mars, e cila tashmë ka kapërcyer pengesën e parë për shkak të pezullimit të Rusisë./Demokracia.com/