Lajme
Eksperti i sigurisë: S’mund të ketë trazira në Kosovë, Lista Serbe vetëm po kërcënon
Demokracia
17:13 | 27 Mars 2022

Share:

Lista Serbe dhe personeli serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e vendit, derisa të rikthehet në punë Liliana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Stevanoviq ishte suspenduar nga KGJK për pjesëmarrje në një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Këtë e bëri të ditur për mediat edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas protestave të serbëve në veri të Mitrovicës dhe Graçanicë.

Kërkesë e Serbisë ishte që vendvotimet më 3 prill të hapeshin edhe në territorin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, edhe pas presionit ndërkombëtar, Kosova nuk e lejoi mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Nervozizmi në Beograd u rrit, derisa pati edhe kërcënime me intervenim ushtarak ndaj Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Lidhur me këto kërcënime të Serbisë, Demokracia.com ka kontaktuar me ekspertin e sigurisë, Nuredin Ibishin.

Ai ka deklaruar se është vendim i qëlluar i Qeverisë së Kosovës për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Është një vendim i qëlluar, por serbët menjëherë kanë marrë masa dhe janë caktuar në vendet në afërsi të kufirit, ndërsa alternativa tjetër është që ata që kanë dy shtetësi mund të votojnë përmes postës ose përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë”, ka deklaruar Ibishi për Demokracia.com.

Ibishi: Tensione ngrit vetëm pala serbe

“Tensionet mund t’i ngrisë vetëm pala serbe, që i impresionojnë serbët përmes protestave, por Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe sektori i sigurisë kanë marrë masat e duhura”, ka thënë Ibishi.

Njohësi i problemeve të sigurisë në vend ka thënë se paralajmërimet e palës serbe nuk qëndrojnë për prishjen e marrëveshjes së Brukselit.

“Paralajmërimet e palës serbe që do të prishet marrëveshja e Brukselit apo do të bie poshtë kjo marrëveshje nuk qëndrojnë, sepse ajo është marrëveshje institucionale, por edhe nëse ata mendojnë që ajo të mos zbatohet, ajo shkon në dëmin e tyre”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, Ibishi ka shtuar se kemi kapacitete të bollshme që ta zëvendësojmë personelin, qoftë në sektorin gjyqësor, atë të sigurisë apo të prokurorisë.

“Ne kemi kapacitete të bollshme që në mungesë të tyre t’i zëvendësojmë personelin, qofshin ato në gjyqësi, qofshin në sektorin e sigurisë e prokurorisë. Këto janë vetëm tendenca të serbëve për të krijuar incidente dhe t’i fabrikojnë incidentet. Nuk mendoj se do të tërheqin personelin apo përfaqësuesit e vet nëpër institucione, kudo qofshin ato”, ka deklaruar ai për Demokracia.com.

Në fund, Ibishi ka thënë se serbët dinë vetëm të kërcënojnë e nuk kanë mundësi të bëjnë trazira.

“Serbët vetëm kërcënojnë, nuk kanë mundësi t’i realizojnë edhe më shumë trazirat, pasi që i kemi forcat dhe kapacitetet dhe po ashtu kemi ngritje të nivelit të përfaqësimit ndërkombëtar dhe janë ngritur kapacitetet e EULEX-it, forcat e shtuar të KFOR-it në kufi, ku po bëhet edhe mbikëqyrja e vijë-kalimit kufitar nga Policia e Kosovës”, deklaroi Ibishi./Demokracia.com/

 

 

 

 

 

Të ngjashme