Lajme
Ia ndalojnë sërish vajzën, Trajkoviq pyet Vuçiq: Çfarë po të bëjnë fëmijët e mi?
Demokracia
21:01 | 04 Prill 2023

Share:

Rada Trajkoviq, këshilltarja e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, përmes një cicërime në Twitter ka reaguar pasi që në aeroportin e Beogradit, autoritetet policore serbe i kanë ndaluar vajzën e saj, dhe për këtë ajo ka fajësuar drejtpërdrejtë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Çfarë po të bëjnë fëmijët e mi Aleksandar Vuçiq? Përsëri shërbimet tuaja ndalojnë vajzën time mjeke në aeroport me të hyrë në vend”, shkroi ajo në Twitter.

Ndërkaq, politkanja serbe e Kosovës tha se vajza e saj është një “qytetare që respekton ligjin dhe nuk merret me politikë”, dhe pyeti përsëri kreun e Serbisë “çfarë po ju bëjnë fëmijët e mi?”.

Ndryshe, Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviç, kishte njoftuar me 23 mars se vajza e saj ishte ndaluar në aeroportin e Beogradit në Serbi.

“Vajza ime e dytë u ndalua në aeroportin e Beogradit gjatë daljes nga vendi, rrugës për në një kongres të mjekëve në rajon. E gjithë familja në një lloj liste. Asnjë arsye, asnjë aktivitet politik – vetëm sepse janë fëmijët e mi. Edhe sa kohë”, ka shkruar Trajkoviç në Twitter, duke etiketuar presidentin, kryeministren dhe Qeverinë e Serbisë.

Edhe në fund të vitit të kaluar Trajkoviç, pati njoftuar se vajza e saj është ndaluar në aeroportin e Beogradit nga policia kufitare për herën e dytë brenda këtij muaji.

“Vajza ime e cila është shtetase britanike, sapo ka zbritur në aeroportin e Beogradit. Ajo u ndalua nga policia kufitare. Kjo është përtej masës”, pati shkruar Trajkoviq në Twitter.

Po ashtu politikania nga Kosova ishte ndaluar për orë të tëra në pikën kufitare në Merdarë pa asnjë arsye.

Të ngjashme