Lajme
“Ia ka marrë shpirtin me dorë”, dëshmitarët tregojnë për maltretimet e të akuzuarit Shaqir Lutvija ndaj civilëve të arrestuar
Demokracia
16:33 | 20 Maj 2025

Share:

Dëshmitarët Vehbi Velija dhe Fahredin Jakupi, dëshmuan të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet për krime lufte. Velija rrëfeu për maltretimet që i ka përjetuar ai dhe të tjerë nga tani i akuzuari, kurse Jakupi për vrasjen e vëllait të tij.

Në këtë rast, Shaqir Lutvija akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, ka kryer krime lufte.

“Shaqa u kanë aty, edhe ky na ka rreh krejt komplet e dinë, se ky ka qenë polic dhe shoku i tij Abazi e di ky ku është, krejt ky na ka ba llom krejtve edhe Ramadanin me grushta e kanë mbyt, dy-tri here u kanë vetë”, tha Velija.

Fillimisht, dëshmitari Velija sqaroi se ishte në qytetin e Rahovecit dhe se aty ishte arrestuar me disa persona të tjerë dhe se maltretimi kishte filluar qysh prej arrestimit. Tha se u maltretuan derisa u dërguan në burgun e Prizrenit.

Sipas Velijës, personat me emrin Bozho dhe Xhevati derisa i kishin bartur për në burgun e Prizrenit, i kishin maltretuar në makinë duke i rrahur këmbëve.

Ai tha se u dërguan ditën e premte në burgun e Prizrenit dhe se me t’i dërguar atje, i akuzuari Lutvija së bashku me persona të tjerë i kishin rrahur brenda në burg dhe i kishin maltretuar.

“S’e di orën saktë sepse s’kemi guxu as kokën ta çojmë, as frymë të marrim s’kemi guxu se na kanë rrah kush si ka mujt, secili që ka dalë në korridor na ka goditur. Të dytë kanë goditur edhe ky edhe kolegu i vet”, tha Velija.

Gjithnjë sipas dëshmitarit, viktima me emrin Ramadan, për shkak të goditjeve me grushte nga i akuzuari Lutvija dhe disa persona të tjerë, kishte vdekur.

“E kanë goditur Ramadanin, ka vdek prej grushtave”, tha Velija.

Po ashtu, ai tha se bazuar në shenjën e fytyrës ka arritur të identifikojë të akuzuarin Lutvija kur Policia kishin prezantuar para tij disa fotografi.

“Edhe herën e parë kur e kanë pru në Prokurori menjëherë e kam njoftë, edhe kur ka qenë në mes pesë personave menjëherë e kam njoftë, në bazë të shenjës e kam njoftë”, deklaroi Velija, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për dëshmitarin Sefer Ejupi, Velija tha se duke e maltretuar e kishin futur në kontejner.

“Seferin e kanë rreh mirë edhe për shkak se s’ka ditë kurrgjë e kanë gjuajt në kontejner, u kanë krejt llom”, tha Velija.

Para Gjykatës, dëshmoi edhe vëllai i të ndjerit Ramadan Jakupi, Fahredin Jakupi, i cili deklaroi se personalisht nuk njeh të akuzuarin dhe se nuk ka parë se si është vrarë vëllai i tij.

Por, sipas Fahredin Jakupit, nga dëshmitarët Sefer Ejupi dhe Vehbi Velija i është thënë se vëllanë  ia ka vrarë i akuzuari Lutvija. Këtë informacion, ai tha se fillimisht ia kishte dhënë dëshmitari Ejupi pesë ditë pasi që edhe vetë ishte maltretuar nga i akuzuari.

“Vetëm Shaqiri (e ka goditë), vetëm Shaqiri, ai ia ka marrë shpirtin me dorë”, tha dëshmitari Jakupi.

Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.

Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.

Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së. /Betimi për Drejtësi/

Të ngjashme